FSK përgatit pilotët

Disa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës ka disa muaj që po qëndrojnë në Turqi për shkollim në fushën e aviacionit. Ndonëse FSK ende nuk ka Helikopter, ata po stërviten që në të ardhmen të jenë pilotët e Ushtrisë së Kosovës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala, ka deklaruar për Indeksonline se, duke marrë parasysh se në FSK, ka mungesë të kuadrove të tilla profesionale dhe të specializuara për pilot, fillimisht ne i kemi bërë përzgjedhjen e disa pjesëtarëve të FSK-së, të cilët, tani janë në shkollim për pilot dhe inxhinier në Turqi.
Ai tha se, në kudër të strukturës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është edhe Kompania e Aviacionit-Njësia e helikopterëve, mirëpo, zhvillimi i këtij njësiti, për shkak të kompleksitetit, po bëhet hap pas hapi.
“Për finalizimin e kësaj Njësie, duhet një periudhë kohore prej 4 deri 5 vjet. Por, pas Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë, që është në proces e sipër, pritet që të definohet saktë, për kohën, për misionin dhe strukturën e këtij njësiti ajror”, ka deklaruar Shala.
Është thënë që Policia dhe FSK do t’a krijojnë së bashku këtë njësi, mirëpo sipas zyrtarëve të FSK-së, koncepti është i tyre, por parashihet që projekti të jetë i përbashkët në nivel vendi.
“Njësia do të ngritët dhe të zhvillohet nën mbikëqyrjen, komandën e FSK-së”, ka thënë Shala.
Mirëpo sipas tij, është parapa që ky njësit dhe helikopterët të jenë në dispozicion edhe për Policinë e Kosovës, por edhe për nevoja të Ministrive dhe Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave Civile.
Buxheti dhe fondet aktuale që ka MFSK-ja, nuk janë të mjaftueshme, në mënyrë të pavarur të furnizohet me helikopter dhe pajisje të nevojshme në kuadër të mandatit dhe misionit që ka FSK-ja. Andaj, sipas zyrtarëve të FSK-së, zgjidhje e vetme është që kjo blerje të bëhet në nivel vendi dhe me pjesëmarrje buxhetore edhe të ministrive tjera./V.K/ /Indeksonline/