E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj shpallet i huaji i vitit në Qipro

  Gazeta "O Fileleftheros" vlerëson për vitin 2008 portierin shqiptar, i cili ka lënë pas edhe brazilianin Savio

"Oskar" për Arjan Beqajn. Portieri i kombëtares shqiptare është shpallur futbollisti i huaj më i mirë në Qipro për vitin 2008. Si çdo fundviti dhe sezoni futbollistik, gazeta e famshme qipriote "O Fileleftheros" publikon çmimet për futbollistët që aktivizohen në kampionatin vendës. Pas paraqitjes së shkëlqyer me Anorthosisin gjatë vitit 2008, ku u kurorëzua me titullin kampion dhe mori pjesë në ndeshjet e grupeve të Ligës së Kampioneve, Beqaj meritoi plotësisht këtë çmim, madje duke lënë pas edhe emra të njohur. "Ishte shtylla e Anorthosisit, duke i dhënë një siguri të jashtëzakonshme. Ai udhëhoqi bardheblutë në kampionat dhe ndeshjet e Ligës së Kampioneve, ku në këtë të fundit tregoi se është një portier me vlera të mëdha,"- shkruante ndër të tjera "O Fileleftheros". Në renditjen e të huajve më të mirë të vitit, i dyti pas portierit të kombëtares ishte fantazisti brazilian Savio, që aktualisht aktivizohet me Anorthosis, ndërsa më parë ka luajtur për Realin e Madridit. Çmimet u caktuan pas votimit të gazetarëve qipriotë, të mediave të shkruara dhe atyre pamore. Viti që lamë pas ishte natyrisht dhe kulmi për Beqajn, teksa vetë portieri e ka shprehur këtë. Përveç vlerësimit si futbollisti më i mirë i huaj në Qipro, në verën e kaluar, ai u shpall edhe portieri më i mirë i kampionatit. Ndërkohë, vlen të përmendet se paraqitja që ka bërë së fundmi Beqaj, ka ngjallur interesimin e klubit të famshëm grek Olimpiakos.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›