Prokuroria apelon heqjen e sekuestron e pronave
Njësia Task Forcë ka kundërshtuar në Gjykatën e Apelit vendimin e datës 31 dhjetor për zhbllokimin e pronave të mikut të kryeministrit
TIRANË- Prokuroria e Tiranës apeloi vendimin e gjykatës për heqjen e sekuestros së pronave të bllokuara këtu e tre muaj më parë nga organi i akuzës nën emrin e mikut të kryeministrit Sali Berisha, serbo-boshnjakut Damir Fazliç. Më datë 31 dhjetor të vitit të kaluar, gjykata kishte vendosur që të gjitha pronat e tij të liheshin të lira ndërsa Njësia Task Forcë kërkon të kundërtën nga Apeli. Ditën e sotme, kjo gjykatë do të nisë punën dhe do të hedhë në short elektronik kërkesën e Prokurorisë së Tiranës.
“Me datën 31 dhjetor të vitit që shkoi, Gjykata e Shkallës së Parë, e kryesuar nga gjyqtari i vetëm pranë kësaj gjykate, Artan Broci, vendosi të pranojë kërkesën e avokatëve mbrojtës të personit nën hetim Damir Fazliç, të kundërshtimit të vendimit për sekuestrimin e pasurisë që figuron e regjistruar në emër të serbo-boshnjakut Fazliç dhe kompanive që ai drejton. Ky vendim i gjyqtarit Broci erdhi pas dëgjimit të palëve në proces, si të organit të akuzës dhe asaj të mbrojtjes, ku më pas vendosi të lirojë nga sekuestrimi llogaritë bankare të shoqërive “Croën Acquisition” sh.p.k. e cila është shitur tek kompania e tij me seli në Qipro “Altarie Reserach Limited” dhe kompanisë “Alfa” sh.p.k. Përveç llogarive bankare që u liruan nga sekuestrimi, gjykata urdhëroi lirimin nga bllokimi edhe të të gjitha pasurive të paluajtshme që figurojnë të regjistruara në Hipoteka në emër të këtyre dy shoqërive dhe personit nën hetim Damir Fazliç”- thuhet nga akuza, duke shtuar se ky vendim ishte i nxituar dhe i pabazuar në ligje dhe për këtë qëllim është kërkuar apelimi i tij pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga akuza, mësohet se pranë Gjykatës së Apelit, përveç prokurorit që do të caktohet nga drejtuesi i prokurorisë së apelit do të jetë edhe njëri nga dy prokurorët e çështjes, Besnik Cani ose Dritan Rreshka. Këta dy të fundit janë edhe prokurorët që po hetojnë për tre muaj serbo-boshnjakun Damir Fazliç për shitje fiktive të kompanive që ai drejton, duke ngritur dyshime për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave.
Në argumentimin e vendimit të gjyqtarit Broci, thuhet se “Prokuroria e Tiranës, edhe pas hetimeve tremujore nuk ka arritur të sjellë prova bindëse apo dyshuese se personi nën hetim, Damir Fazliç, ka konsumuar elementë të veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” (pastrimit të parave). Pasi me paratë e blerjes së shoqërisë “Croën Acquisition” sh.p.k. me 1 milion e 700 mijë euro nga kompania e tij me seli në Qipro “Altarie Reserach Limited” nuk është provuar apo sjellë ndonjë provë materiale që kjo shumë e parave është siguruar nga një vepër tjetër penale, që sipas legjislacionit shqiptar, në rast se vërtetohet se kjo shumë është siguruar nga një krim apo vepër penale përbën konsumimin e veprës penale të “pastrimit të parave” në Shqipëri”. Ndërkohë, vetëm pak ditë para dhënies së vendimit, ishin dy përfaqësuesit e akuzës, prokurorët Cani e Rreshka, të cilët sollën pranë Gjykatës një sërë provash materiale, që ngrinin dyshime për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave” nga personi nën hetim Damir Fazliç.
Prokuroria e Tiranës akuzon serbo-boshnjakun për pastrim parash në vendin tonë
Abuzimet e kryera nga Damir Fazlliç
TIRANË- Sipas prokurorisë, shtetasi nën hetim Damir Fazliç nën emrin e kompanive të tij “Croën Acquisition” sh.p.k. të cilën ia shiti më pas kompanisë së tij me seli në Qipro “Altarie Reserach Limited” dhe kompania “Alfa” sh.p.k ka blerë dy prona në fshatin “Rinia” të komunës së Porto Romanos në Durrësit me një vlerë të deklaruar që kap shifrën e 1.7 milionë eurove. “Nga verifikimet dhe hetimet e kryera gjatë këtyre tre muajve ka rezultuar se të dyja këto kompani të sekuestruara “Croën Acquisition” sh.p.k. dhe “Alfa” sh.p.k nuk zotërojnë asnjë kapital bankar, përveç regjistrimit të themelit që kap shifrën 10 mijë lekë të reja. Dhe që nga dita e hapjes së këtyre kompanive, shoqëritë e drejtuara nga personi nën hetim Fazliç nuk kanë kryer asnjë aktivitet biznesi deri më sot duke qenë kompani pasive. Kështu, që përfundimi i këtyre hetimeve tremujore ngre dyshimet të forta se në këto transaksione bankare të shitblerjes së kompanive ka qenë shitje fiktive që përbën një nga elementët e kryerjes së veprës penale të “pastrimit të parave”. Rezulton gjithashtu, se paratë për blerjen e këtyre pronave kanë kaluar jashtë sistemit bankar dhe shumat kanë ardhur nga burime të tjera”,- mësohet të ketë thënë prokurori Cani. Sipas akuzës, blerja e këtyre dy pronave në Porto Romano që kap shifrën rreth 16 hektar tokë është blerë me para në dorë, duke anashkaluar pagesat e tatimeve mbi vlerën e shitjes dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit shqiptar. Prokurorët në fund të fjalës së tyre, u shprehën se nga Shqipëria personi nën hetim Damir Fazliç ka transferuar nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake në drejtim të një banke në Zurich të Zvicrës shumën prej 1 milion e 500 mijë euro dhe 450 mijë euro vetëm pak kohë para se prokuroria të nisë hetimet për pastrim parash. “Transferimi i shumës 1.5 milionë euro është kryer gjatë muajit shkurt, qershor dhe gusht në tre këste, ndërsa transferimi i katërt i shumës prej 450 mijë euro është kryer gjatë vitit 2008 pak kohë para fillimit të hetimit ndaj shtetasit Damir Fazliç”.
AKSIONERËT
TIRANË- Prokuroria e Tiranës, pas hetimeve tremujore ka arritur të sigurojë të dhëna dhe prova materiale në lidhje me pronësinë e kompanisë qipriotë “Altarie Reserach Limited”, ku nga hetimi ka rezultuar se në këtë kompani janë disa aksionerë, mes tyre shtetasi Damir Fazliç dhe pronari i kompanisë “Rudnup”-it të Austrisë, Llazareviç, ku qeveria shqiptare blen energjinë elektrike. Ky saktësim i prokurorisë, hedh poshtë edhe pretendimet e kryeministrit Sali Berisha se “serbo-boshnjaku Fazliç nuk ka marrë asnjë qindarkë nga buxheti shtetëror”, që në bazë të dokumentacioneve të sekuestruara rezulton se pronari i Rudnap-it Llazareviç është bashkëpronar tek kompania qipriotë që ka blerë 16 hektarë tokë në Porto Romano.