Sërish reshje bore dhe ulje temperaturash
Tiranë- Parashikime të keqëija së paku edhe për tre ditët të vijim vijnë nga sinoptikanët. Sipas tyre, vendi ynë do të vijojë edhe në tre ditët në vijim me një mot të paqendrueshëm, me erë, mjegull dhe me temperatura kryesisht të ulëta.
Që do të thotë se duhet bërë ende durim për të përballuar të ftohtin, kurse zonat e thella do të përballen përsëri me izolimin për shkak të borës.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, sot, moti do të ndikohet nga qendra e presionit të ulët atmosferik, ku si pasojë, do të jetë relativisht i paqëndrueshëm, i ftohtë dhe i lagët. Parashikohet të ketë vranësira të ndrueshme, deri në të dendur në Lindje dhe Juglindje, reshje të dobëta shiu dhe bore në orët e para të ditës në zonat Verilindore dhe Juglindore, si dhe mjegull deri në mesditë në zonat Veriperëndimore dhe Verilindore.
Gjatë ditës së martë, do të vijojë një mot i paqëndrueshëm, por me tendencë termike në rritje, ku temperaturat minimale do të luhaten nga -7 deri në 2 gradë Celsius dhe ato maksimale, nga -2 deri në 10 gradë Celsius.
Ditën e mërkurë, moti do të karakterizohet nga vranësira dhe erë, e cila do të jetë me shpejtësi deri në 10 m/sek, ndërsa temperaturat minimale do të jenë nga -4 deri në 5 gradë Celsius dhe ato maksimale, nga 0 deri në 10 gradë Celsius.