E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjan Beqaj vlerësohet me notë më të mirë se Murinjo

Arjan Beqaj dhe Anorthosis i tij po shkruajnë histori në Evropë. Portieri i Kombëtares shqiptare dhe skuadra qipriote është cilësuar deri tani si surpriza e Champions League në këtë sezon. Deri tani, portieri shqiptar ka qenë njeriu më vendimtar në sukseset e këtij ekipi të vogël. Në ndeshjen e së mërkurës, ku skuadra e tij humbi me rezultatin 1-0 ndaj Interit me golin e Adrianos, ka marrë një nga vlerësimet më të larta nga ekspertë të futbollit evropian për paraqitjen e tij. Beqaj ka marrë një notë të lartë (7.5) nga ky takim, duke pasur parasysh pritjet e shkëlqyera që ka bërë, ndërkohë që te goli i Adrianos, ekspertët e përjashtojnë Beqajn nga faji. Portieri kosovar është llogaritur si lojtari më i mirë në ndeshje, së bashku me dy lojtarët e Interit, Kambiaso (7.5) dhe Adriano (7.5), të cilët kanë marrë notat më të larta. Nota e vlerësimit të Beqajt është më e lartë se ajo e trajnerit të Interit, Hose Murinjo (6.5). Anorthosis pas tri ndeshjesh, ka arkëtuar katër pikë, duke shënuar një barazim (kundër Verderit), një fitore (kundër Panathinaikosit) dhe një humbje (kundër Interit). Kështu Interi gjendet në vendin e parë me shtatë pikë, Anorthosis në të dytin me katër pikë, Verderi në vendin e tretë me tri pikë dhe i fundit gjendet Panathinaikosi me një pikë. Aktualisht ekipi i portierit shqiptar ka shanse të konsiderueshme për të kaluar në fazën tjetër të çerekfinaleve të Champions Leauges. Ekipi që duket më i favorizuari për të kaluar dhe pothuajse e ka arritur një gjë të tillë është Interi, i cili duket se në këtë sezon nuk ka kundërshtarë jo vetëm në Itali. por edhe në Evropë. Gjithashtu Anorthosis, nëse vazhdon me këtë ecuri, do të ketë të gjitha gjasat që të marrë pjesë në garën e mëtejshme në Champions, edhe pse lufta është shumë e vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›