E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, të nënvlerësuar deri në përbuzje

"Procesi i ndryshimit i gjeti mësuesit të papërgatitur, pa informacionin e nevojshëm mbi ndryshimet në kurrikul, të patrajnuar për këto ndryshime, pa infrastrukturën mbështetëse të nevojshme për këto ndryshime (numri i lartë i nxënësve në klasa, pa mjete dhe pajisje mësimore-didaktike), të pamotivuar, pa standarde profesionale të mësuesve, të nevojshëm për vlerësimin e tyre, pa dokumentacionin ligjor të nevojshëm për mbështetjen e ndryshimeve". (Konferenca "Reforma kurrikulare - çështje dhe tendenca në zhvillim" - 2006).

Sintezë tronditëse, por më se e vërtetë. Dhe fjala është për më shumë se 40 mijë punëtorë të dijes, ose për afro gjysmën e fondit të administratës publike.

Mësues të patrajnuar

"Vitin e ardhshëm, kualifikimi i mësuesve do të bazohet dhe në elementë të tjerë të strategjisë së zhvillimit profesional, si standardet e mësuesit në punë, sistemi i vlerësimit bazuar në kredite". Kjo deklarohet nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, më 28 mars të vitit 2008. (Cituar sipas http://www.mash.gov.al/ LAJMET%20E%20DITES/kualifikimi-mesuesve-2008.htm).

Thënë më thjeshtë, MASH-it iu deshën 3 vite për të hartuar një fletë me standardet profesionale të mësuesisë dhe një fletë me atë të vlerësimit të cilësisë së punës së mësuesve, që të ndërtonte (nëse e ka bërë një gjë të tillë) një sistem trajnimi. Mjafton ky fakt për të mos marrë seriozisht asnjë nga përcaktimet e tjera të reformës për kualifikimin ose retorikat kryeministrore për arsimin. Nga këndshikimi i teorive të efektivitetit arsimor, mungesa e standardeve profesionale dhe skemave trajnuese, jo vetëm për mësuesit, por dhe për çdo post tjetër në hierarki, bën formale veprimtaritë trajnuese që ofrohen nga agjencitë publike (IKT, Drejtoritë Rajonale Arsimore) ose organizatat e ndryshme (vendore apo të huaja), që përpiqen të ndihmojnë zhvillimin e burimeve njerëzore në arsim. Nuk po flas këtu për cilësinë e atyre pak seancave trajnuese të zhvilluara, ose për kompetencën profesionale të trajnerëve. Janë aq efikase sa, po të hiqet shtrëngimi administrativ, asnjë mësues nuk do t‘i frekuentonte me dëshirë.

Ndërkaq, tri vitet për të cilat po flasim përkojnë, për dreq, me vitet kur reformimi i arsimit të detyruar është në pikun e tij, pasi po ndryshon struktura dhe organizimi i sistemit arsimor dhe po zbatohet për herë të parë kurrikuli i ri. Ndërsa MASH, në kulmin e reformës arsimore, nuk "e vë ujin në zjarr" as për të trajnuar minimalisht zbatuesit e saj me risitë që bëjnë dallimin nga sistemi i vjetër (!!!)

Mësues të pamotivuar

Bota përdor forma të ndryshme për të motivuar profesionistët. Oferta qarkon që nga pagat e deri te sistemi i dekorimeve dhe i titujve. Përdoren edhe te ne, por, sipas një modeli ineficent dhe tejet të lodhur.

Së pari, edhe pse i referohem pagës si element motivues, nuk dua të ndalem te shakaja kryeministrore për dyfishimin e pagave, që çuditërisht edhe mund të plotësohej, pasi paga mesatare e mësuesit ishte 250 dollarë. Kur flas për pagën, fillimisht, po i referohem pagës që u jepet mësuesve në vendet e OECD, publikuar në të përvitshmin e saj "Education at a Glance 2008" (faqe 440-441). Pagat mujore të mësuesve, me të paktën 15 vite punë në shkollat e arsimit bazë, fillojnë nga 1250 USD në Hungari dhe Estoni, vijojnë me 3300 në Greqi dhe Itali, ecin më tej me 4250 USD në Gjermani dhe Zvicër dhe kapin majën me 7500 USD në Luksemburg. Paga e mësuesit në këto vende, në fundin e karrierës, është 75% më e madhe se paga e mësuesit fillestar.

Së dyti, sistemi i pagave në vendin tonë jo vetëm që nuk motivon, por është kthyer në një prej frenuesve të procesit reformues. Argumenti i parë konstatohet nga arritjet e nxënësve në shkollat tona. Thuajse në çdo raport vlerësimi të inspektorëve të MASH, rreth 80% e nxënësve të arsimit bazë nuk meritojnë më shumë se vlerësimin "mjaftueshëm", ndërsa në arsimin e mesëm e të lartë shifrat janë edhe më skandaloze. A nuk konstatuam këtë vit se nota mesatare e rreth 1500 maturantëve në provimin e lëndëve me zgjedhje (theksoj: në lëndët e parapëlqyera nga nxënësit) nuk kalonte më shumë se 6.3?! Në detaje: Biologjia (nota mesatare 5.9; 29% e nxënësve mbetës); Fizika (nota mesatare 56.6; 24% e nxënësve mbetës); Kimia (nota mesatare 6.4; 21% mbetës)!!

Argumenti i dytë vjen nga prurjet në fakultetet e edukimit. Sikundër thonë, deri tani, në Fakultetin e Matematikës këtë vit janë regjistruar 12 studentë. Ritme të tilla, që pa frikë mund të pohohet se ndikohen jo pak dhe nga statusi mjeran i profesionit të mësuesisë, e kanë kthyer nga supozim në makth real mungesën e mësuesve. Shikoni arsimin privat. Ai po kërkon me qiri mësuesit që kanë dalë në pension, jo vetëm për profilin e pëlqyer profesional që i karakterizon, por dhe për mungesë të mësuesve të rinj, të formuar për të qenë vërtet të mirë.

Shqipëria nesër, si shkolla sot

Koha vërtetoi mençurinë që na dha Aristoteli. Në vitet ‘60, Irlanda e nisi udhën e modernizimit të vendit duke kthyer në përparësi reale arsimin, në dallim nga Portugalia që vendosi të shtrojë rrugët. Nuk po ndalem në dallimet e dukshme të dy vendeve, por po sjell vetëm dy-tri fakte interesante: fabrika e parë në botë për ndërtimin e kompjuterëve u ndërtua në Irlandë në vitet ‘70. Arritjet e nxënësve irlandezë në testimin ndërkombëtar PISA-2006 renditen në dhjetëshen e parë, ndërsa pagesa e mësuesit irlandez renditet e gjashta në botë. Ndërrojmë kah: Izraeli, sipas "Education at a Glance 2008", në vitin 2005, shpenzoi 8% të GDP për arsimin (3.5 ishte treguesi gjegjës i vendit tonë). Ky vend ka një sistem arsimor efektiv dhe citohet në literaturën e fushës si model për reformat në sistemin e arsimit. Gjithashtu, vendet e OECD, brenda dekadës së fundit, kanë rritur mesatarisht me 18% investimet në arsim. Vargu i të dhënave që ilustrojnë rëndësinë dhe investimet reale në sistemet arsimore është i gjatë. Shembujt i solla për të treguar se si shpërblehen ata, të cilët lidhin të ardhmen e vendit të tyre edhe me profesionin e mësuesisë.

Ndërsa te ne, fondi i burimeve njerëzore është dëmtuar nga lëvizje demografike, që nisën me emigrimin e mjaft mësuesve të aftë, vijuan me largimet drejt sektorit më të mirëpaguar të biznesit dhe po përfundojnë me daljet në pension. Sikur të mos mjaftonte kjo, tani mësuesve në shërbim u diskutohet edhe e drejta për t‘u trajnuar, ata paguhen shumë pak dhe punojnë në kushte vërtet joprofesionale: pa mjete, me shumë nxënës, në mjedise fizike të papërshtatshme etj. Nuk mund të bëhet më shumë për t‘i përbuzur ata që konfigurojnë arsimin e sotëm dhe fatin e nesërm të Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›