Arkeologët bënë ç'mundën, shteti nuk lëvizi
Drejtori i Parkut të Butrintit, Ylli Cerova, komenton situatën e sotme për një nga pikat më prestigjioze të trashëgimisë kulturore dhe turistike edhe për Sarandën antike, që ka ikur duarsh njëherë e përgjithmonë
Është kulmi i sezonit turistik dhe numri i pushuesve në të gjitha vendet turistike është rritur ndjeshëm. Saranda është ndër të paktët qytete, që, veç detit, u ofron turistëve edhe ambiente të tjera qetësuese. Parku Kombëtar i Butrintit është një prej tyre. Prej së shkuarës ka ardhur në ditët e sotme një pjesë e madhe e tij, duke u dhënë mundësinë kureshtarëve të shohin pasurinë e paraardhësve.
Në intervistën e mëposhtme, drejtori i Parkut Kombëtar të Butrintit, Ylli Cerova, tregon për disa nga problemet që ka parku që ai mbikëqyr. Por, ai nuk kufizohet vetëm tek problemet që ka Butrinti, por tregon edhe për varrosjen e Sarandës antike nën ndërtimet e reja. Sipas tij, poshtë themeleve të godinave që janë ndërtuar dhe po vazhdojnë të ndërtohen, janë groposur njëherë e përgjithmonë rrënojat e qytetit të vjetër.
Zoti Cerova, sa i vizitueshëm është këtë periudhë Parku i Butrintit?
Përpara se të jap të dhëna mbi fluksin e vizitorëve të këtij sezoni, dëshiroj të theksoj se në prill të këtij, viti ish-ministri, Pango, nxori një urdhër për unifikimin e çmimit të biletave. Në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe në muzeun arkeologjik, është 700 lekë. Ka dhe një biletë të dytë prej 500 lekësh, me të cilën mund të vizitohet vetëm Parku Kombëtar. Për vizitorin shqiptar kjo është rritje e ndjeshme, kur para një viti bileta ka qenë 100-200 lekë për vizitorët shqiptarë, 500-700 lekë për vizitorët e huaj. Këtë çmim të fundit, Butrinti e meriton, por shqiptarët nuk kanë atë nivel ekonomik që ta përballojnë. Kjo ka bërë që të bjerë në një farë mase vizitueshmëria e parkut nga shqiptarët. Në gjashtëmujorin e parë 2009, vizitueshmëria është rreth 15% më pak se në vitin 2008, kurse të ardhurat rreth 5% më shumë. Ky është një problem, për të cilin ne nuk kemi çfarë të bëjmë.
Si ruhet e gjithë hapësira e parkut nga vjedhjet apo dëmtimet?
Praktika shtetërore është e tillë që, Parku i Butrintit ruhet nga kompani private të policisë. Ne ruajmë muzeun, Nekropolin, njëkohësisht edhe gjithë territorin përqark. Kemi një ekip prej 10 policësh privatë, i cili nuk është i mjaftueshëm, sepse parku ka një sipërfaqe 86 km2. Fillon në jug të kanalit të Cukës dhe përfundon në kufi me Greqinë, linja veri-jug, kurse lindje-perëndim shtrihet nga maja e Malit të Milesë dhe përfundon në kufirin detar me Greqinë. Në këto rrethana, është e pamundur të ruhet thjesht nga policia private.
Në Sarandë shohim që ndërtimet janë rritur ndjeshëm. Gjatë gërmimit për ndërtimin e tyre, a është evidentuar ndonjë strukturë arkeologjike?
Në periudhën e perandorit Anastas Justiniani është ndërtuar një mur rrethues i qytetit dhe brenda këtij muri, qyteti antik ruhet plotësisht nën banesat e sotme. Godina e madhe, 18-katëshe, është ndërtuar pikërisht mbi struktura të tilla, të qytetit antik. Për mua është skandal.
Po të tjera raste?
Të gjitha ndërtimet që janë bërë këtu, janë bërë mbi struktura antike.
Para disa kohësh, Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik ka bërë një hartë të këtyre strukturave ndërtimore që janë ngritur mbi zonat arkeologjike.
Unë e gjej me vend krijimin e ASHA-s. Nuk bëhet fjalë vetëm për Sarandën. ASHA është e vetmja strukturë, e cila për fat u krijua dhe është e vetmja agjenci që është në gjendje të mbikëqyrë të gjitha ndërtimet në zonat arkeologjike, sepse Instituti i Arkeologjisë apo i Monumenteve, apo drejtoritë rajonale nuk munden të kryejnë ndonjë rol pa ndihmën e ASHA-s.
A mund ta vendosim Sarandën në listën e qyteteve ku vazhdohet të ndërtohet mbi rrënoja?
Tani, mbi Sarandë është ndërtuar, kjo punë duhej të ishte bërë para 10 viteve ose shumë më përpara, në mënyrë që të mos ndërtoheshin gjëra të tilla dhe të ruhej qyteti antik. Tani është vonë, tani ka marrë fund çdo gjë në Sarandë.
A kanë reaguar arkeologët?
Me sa di unë, arkeologët, qoftë të Sarandës, qoftë të Institutit të Arkeologjisë, kanë bërë përpjekje për të mos lejuar një kaos të tillë. Por që nuk janë marrë parasysh. Unë po flas tani për mozaikun e Teqesë së Melanit. U shkatërrua, është skandal. Kush lëviz, asnjë nuk lëviz. Po e njëjta gjë edhe këtu. Para dhjetë vitesh, në Sarandë asnjë nuk ka lëvizur, arkeologët e Sarandës dhe të Institutit të Arkeologjisë kanë bërë gjithçka, por nuk ka lëvizur shteti.
Le të kthehemi prapë tek Butrinti. Problem për të gjithë turistët shqiptarë apo të huaj është rruga për në park. Ka të paktën 10 vjet që flitet për rregullimin e saj, por ende nuk po shohim gjë konkrete.
Tani që po flasim bashkë, gjithçka ka marrë fund dhe është në rrugën e zgjidhjes. Parku Kombëtar i Butrintit është pjesë e një projekti iranian. Ka mbaruar tenderimi, janë përcaktuar kompanitë fituese dhe duhet të fillojë zbatimi, pra zgjerimi i rrugës. Por tani jemi në sezon turistik dhe kjo gjë do të na bllokonte turistët që vijnë. E vetmja gjë që mund të bëhet është që, në zonën ku rruga kalon, pranë liqenit, të krijohen disa xhepa për të lehtësuar qarkullimin. Me përfundimin e sezonit turistik në muajin tetor, kam bindjen se gjithçka do të përfundojë.
A janë të mjaftueshme financat e Parkut të Butrintit për t'iu përgjigjur të gjitha shërbimeve?
Parku Kombëtar i Butrintit, në vitin 2005 kishte të ardhura pothuajse 100 mijë dollarë, kurse vitin e kaluar ne mblodhëm rreth 170 mijë dollarë. Ne përdorim 90% të këtyre të ardhurave, që nuk janë pak. Krahas këtyre, për projekte me shifra të madhe investimi, ne financohemi edhe nga qeveria shqiptare. E vetmja rrugë për zhvillimin e një parku është vetëmenaxhimi. Kjo mënyrë i kthen të ardhurat sërish në park. Unë nuk shoh rrugë tjetër. Shteti mund të bëjë, por duhet të jemi ne të parët që duhet ta mirëmbajmë dhe menaxhojmë parkun, duke grumbulluar sa më shumë të ardhura.
Për çfarë po punohet aktualisht në Butrint?
Vazhdimisht, Butrinti, në muajt qershor-korrik, ka një ekspeditë që quhet e madhe, e cila zhvillohet nga Instituti Arkeologjik i Tiranës, në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me Fondacionin Butrinti. Po punohet në Nekropol, konkretisht në Bazilikën e madhe, ku ka dalë një pjesë e mirë e mozaikut paleokristian dhe po punohet për konsolidimin dhe ruajtjen e këtij monumenti të rëndësishëm, i gërmuar nga Ugolini në vitet 1928-'32. Që nga ajo kohë nuk është vënë më dorë. Tani është pastruar monumenti dhe kanë dalë elemente të rinj. Por duhet bërë një punë krahasuese e kërkimeve të Ugolinit, dokumentacionit që ai ka lënë, me rezultatin e sotëm.