E Shtunë, 31 Tetor 2026

ILKPD: Denonconi fshehjen e pasurive

Inspektorati i kërkon qytetarëve që të ndihmojnë për të gjetur zyrtarët që nuk tregojnë pasuritë

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka publikuar rreth 500 deklarata të pasurive të zyrtarëve të lartë të shtetit. Në njoftimin për mediat, ILKPD deklaron se publikimi i pasurive të zyrtarëve të lartë është bërë me kërkesën e medias dhe shoqërisë civile. Zëdhënësi i Inspektoratit, Albi Serani, tha dje se publikimi i tyre është një detyrim që rrjedh nga ligji "Për informimin publik" dhe "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike". Sipas tij, procesi i publikimit përveç përmbushjes së detyrimit ligjor për informimin e opinionit publik është edhe në interes të ILKPD-së për të aktivizuar më shumë të gjithë faktorët shoqërorë e politikë të denoncojnë rastet korruptive.


"Nëpërmjet bërjes publike të informacionit mbi pasuritë e zyrtarëve, kushdo që ka të dhëna se pasuria e ndonjë zyrtari nuk është e vërtetë, mund t'i drejtohet Inspektoratit të Lartë, duke bërë denoncimin përkatës në të gjitha format e mundshme të komunikimit. Për këdo të interesuar, Inspektorati i Lartë ofron mundësinë e ruajtjes së anonimatit të plotë",- tha Serani. Ky inspektorat ka vënë në dispozicion një numër telefono pa pagesë- 0800 9999, për të gjithë ata qytetarë, të cilët kanë informacione për fshehjen e pasurisë nga ana e zyrtarëve. ILKPD-ja ka ftuar të gjithë qytetarët, mediat, OJF-të të bashkëpunojnë me të për të forcuar luftën kundër korrupsionit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›