Arkitekturë / Vlera e veçantë e Bankës Kombëtare për Tiranën

Në ndërtimet civile bankat janë objektet me simbolikë dhe enigmatikë të një shteti, dhe kjo nga përmbajtja e fshehtë, gati magjike. Ato janë emblema të mirëqenies së një kombi. Këtë prioritet e kanë vetëm Bankat Kombëtare. Ato strukturojnë ekonominë dhe nëpërmjet saj influencojnë direkt mbi mbarëvajtjen e shoqërisë.
Ato fshehin panikun financiar dhe e kurojnë duke minimizuar pasojat. Janë përfaqësueset monetare të çdo shteti në arenën ndërkombëtare.
Historia e bankave është historia e vet zhvillimit të shteteve moderne, veçanërisht të Europës dhe Amerikës. Bankat e fuqishme janë atje ku njerëzit punojnë.
Ndërtesa e Bankës Kombëtare Shqiptare i ka përmbledhur të gjitha këto së bashku.
Vërtet është një nga veprat e kolanës së arkitektëve italianë të viteve '30 në Shqipëri, por për mua është më e veçanta dhe më e vlefshmja.
Ajo edhe lidhet me to edhe qëndron më vete.
Është vepër e përfunduar plotësisht, një frymëzim i rrallë i autorit; dhe kjo bën që të jetë një nga realizimet më të mira të arkitekturës moderne europiane.
Veçohet nga veprat e tjera sepse, ndërsa Materniteti, Hotel Dajti, Kryeministria, Universiteti, Stadiumi dhe Pallati Presidencial, kanë një lidhje midis tyre, kjo vepër e Vittorio Ballio Morpurgo është disi më vete, qëndron në ishull.
Ndjenja që më shoqëron sa herë vizitoj Bankën, është harmonia e zgjidhjes së volumeve dhe perfeksioni i çdo detaji. Ndjej një kënaqësi të vërtetë që të ngjallin vetëm veprat e artit. Duke ecur në të, ajo të ngjall hap pas hapi vlerësim për këtë institucion. Një mister i lehtë të shoqëron brenda kupolës të veshur me mozaikë.
Pa dashur bëra pyetjen: Po perënditë a e përdorin paranë?
Aty është punuar me materiale natyrale keramike, mermer, dru, mozaikë. Relievet e fasadës së hyrjes dhe mozaiku i brendshëm të lidhin me një klasicizëm dhe antikitet modern. Linjat kryesore janë të kurbëzuara dhe kjo i jep objektit një butësi të veçantë dhe një natyrshmëri në lëvizjen nga njëri ambient në tjetrin.
Respekti dhe korrektesa të imponohet padashur nga heshtja e derdhur me aq mjeshtëri nga arkitekti. Misteri i parasë të shoqëron kudo. Të duket sikur je në një shpellë ku ruhen thesare.
Objekti i vendosur aty gati-gati rastësisht, me kalimin e viteve, u bë një nyje e rëndësishme, pa të cilën nuk kuptohet sheshi qendror i Tiranës.
Bile ajo pa e shpallur, influencoi direkt në zgjidhjen e gjithë objekteve të tjera të sheshit; edhe për Pallatin e Kulturës, edhe për Hotel Tiranën, edhe për Muzeun Historik. Ajo u mor si etalon.
Edhe sot, në gjithë konkurset ndërkombëtare për zgjidhjen urbanistike të Sheshit Skënderbe dhe të Bulevardit, grupet pjesëmarrëse marrin Bankën si pikë referimi.
Ajo është bërë Ylli Polar i kryeqytetit. Ajo të ofron zgjidhje për çdo gjë.
Me të duhet të lidhesh dhe të harmonizohesh. Dhe kjo sepse ajo ka vlerë të vërtetë.
Si kallëpet e arit që merren si vlerë për të matur kartëmonedhat edhe ky objekt është i tillë për çdo ndërtim në qendër.
Më duket e çuditshme sa largpamës ka qenë Morpurgo.
Në fakt objekti u vendos në ishull. Parcela është si ishull i vetmuar dhe kufizohet nga katër arterie kryesore dhe sekondare. Kështu ka mbetur për 70 vjet, megjithëse sheshi ka pësuar gjithë ato ndryshime.
Kjo ishte një nga gjetjet e rralla të zgjidhjes urbanistike. Ajo nuk ka kontakt direkt me asnjë parcelë tjetër. Atij objekti nuk i është bashkëngjitur asnjë objekt tjetër.
Në këtë realizim ndjej spontanitetin fillestar të çuar në perfeksion, këto janë rastet e rralla kur arkitekti arrin kulmin e tij. Arkitektura kthehet në mit.
Ajo bëhet njëkohësisht vepër arti, shkencore dhe hyn në histori. Kthesat e historisë lexohen lehtë në vepra të tilla të fuqishme.
Morpurgo ka realizuar një vepër ku tërë komponentët shkrihen si në një simfoni muzikore. Merita e tij kryesore është plastika e butë dhe kalimet graduale, harmonia e arritur me një ndryshueshmëri që vepron reciprokisht.
Hapësirat kullojnë dhe të udhëheqin përdore. Kurbëzimi dhe prerja këndore si asnjëherë tjetër vallëzojnë bashkë. Rrallë gjen në arkitekturën moderne europiane një objekt tjetër që t'i ketë kaq të balancuara këto dy elemente gjeometrike.
Kur del jashtë nuk është e mundur të ikësh përgjithmonë. Ajo është brenda teje. Ajo të bën më të mirë.
Pas 70 vjet jete ishte tamam moment i duhur për një ndërhyrje në objekt. Për një restaurim dhe për një shtesë për zgjerim.
Më duket sikur Morpurgo e kishte parashikuar këtë gjë dhe kishte lënë gjithë hapësirën e nevojshme nga mbrapa bankës për këtë operacion.
Sigurisht që është një veprim që duhet ndjekur me kujdes, por deri tani çdo gjë ka shkuar më së miri. Në konkursin e organizuar me këtë rast, fitoi variant i duhur.
Autori, arkitekt Petresku, me shumë respekt, dashamirësi dhe mençuri bëri një zgjidhje që do ta quaja perfekte.
Objekti është konceptuar si një molusk me dy guaska, njëra është pjesa e vjetër dhe tjetra ajo e reja. Por ashtu sikurse rriten molusqet, ajo u rrit nga pjesa ekzistuese. Është bërë një lidhje organike e të dy pjesëve duke respektuar njëkohësisht programin e kërkuar nga Banka.
Kam bindjen se mbas operacionit do të kemi një objekt akoma më të plotë, që do të plotësojë më së miri ambicien e guvernatorit, zotit Fullani.
Për mua personalisht, ky objekt ka qenë ai që më ka mësuar shumë. Në kohën e mbylljes totale, ku mund të shihnim vetëm disa revista edhe libra, banka ishte udhëheqësi im. Sepse arkitektura ashtu si dashuria nuk mësohet me libra. Por mjafton edhe një objekt i vetëm për të kuptuar botën e bukur. Kjo edhe ishte Banka e Morpurgos.
Shkurt 2010