Vrasja e Lulos, hetohen divorci me të fejuarën dhe borxhet
Policia e kryeqytetit ngre dyshime konkrete mbi një person të dyshuar si autor i vrasjes së menaxherit të lokaleve të natës
Shoqërohen në polici 35 persona, dyshime për konflikte me kushëririn e tij dhe me një person për çështje borxhesh
TIRANË- Një natë pas vrasjes së Elton Lulos, menaxher pabesh në kryeqytet, policia ka ngritur dyshimet e para mbi një person, identiteti i të cilit nuk jepet nga policia. Ndërkaq, në lidhje me vrasjen hetuesit kanë ngritur tri pista hetimi në të cilat janë përqendruar veprimet e strukturave për zbardhjen e krimeve.
Ndërkaq, në lidhje me këtë ngjarje, policia shoqëroi në ambientet e saj një numër prej rreth 35 personash të dyshuar. Nga hetimi i kryer, policia është fokusuar në tri pista, duke eliminuar dyshimet e tjera.
Burime të rezervuara të Policisë së Tiranës, pohojnë se drejtimi i parë ku po hetojnë është ai i një konflikti të mundshëm me një kushëri të tijin për motive ende të panjohura. Dyshimet e policisë lidhen për një konflikt të mundshëm për çështje parash.
Sipas dyshimeve që i referohen kësaj piste, Lulo ka pasur një debat për një çështje parash me të të cilat ai duhej t'ia kthente djalit të hallës së tij. Duke qenë se kishte kaluar kohë, dhe nuk ia kishte kthyer, debati mes tyre është ndezur dhe kjo mund të ketë sjellë edhe veprimin e kushëririt të tij. Kjo pistë, sipas hetuesve, është pak e mundshme për shkak të afërsisë së tyre farefisnore.
Si pistë tjerët hetuesit kanë radhitur një version të ngjashëm borxhesh, por me një person tjetër. Policia nuk ka pohuar pozicionin e këtij personi dhe marrëdhënien e tij me të vrarin. Gjithsesi sipas hetuesve, ai mbetet i dyshuar, për vrasjen e Elton Lulos, dy net më parë në rrugën "Sulejman Delvina", me një armë të kalibrit 9 mm. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur lehtë edhe Bledar Caca, një shok i viktimës.
Pista e tretë që po hetojnë specialistët e Zyrës së Zbulimit Vrasjeve, është ajo e një konflikti me njerëz të afërt të një vajze, me të cilën viktima ishte ndarë disa kohë më parë. Policia pohon se edhe kjo pistë është gjithashtu e rëndësishme për hetimin, duke e vlerësuar atë.
Ndërkaq, veç shoqërimit të më tepër se 35 personave, policia ka marrë dëshmitë edhe të pjesëtarëve të familjes së viktimës, të cilët kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni mbi ndonjë konflikt të të birit.
Ndërkaq, dje hetues të policisë së Tiranës dhe agjentët e Zyrës së Hetimit të Vrasjeve udhëtuan në jashtë Tiranës, për të kryer një verifikim që lidhej me një dyshim të tyrin lidhur me këtë ngjarje.
Ende nuk dihet konkluzioni i këtyre verifikimeve, por në fund hetuesit kanë pohuar se kanë një të dyshuar konkret. Elton Lulo, 29 vjeç, u vra me armë zjarri pistoletë të hënën rreth orës 21.35, në rrugën "Sulejman Delvina", pranë sheshit "Willson", në momentet që ai po frekuentonte një nga lokalet e zonës.
Krimi ndodhi jo shumë metra larg shtëpisë ku ai banonte, pasi jetonte me familjen e tij në një apartament pranë vendit ku mbeti i vdekur dhe u qëllua me pistoletë nga një person i vetëm. Jo shumë larg nga ky vend, me 35 mars të këtij viti, një tjetër person u qëllua për vdekje. Spartak Camaj, 35 vjeç, u qëlluar për vdekje me pistoletë në momentet që ai po hynte në makinën e tij që e kishte të parkuar në rrugën "Sulejman Delvina".
**********************************
Ekzekutohet menaxheri i lokaleve të natës
Mister motivet e krimit. Policia: Viktima nuk njihej si kontingjent kriminal. Në vendngjarje gjenden dy plumba
Elton Lulo, 29 vjeç, u vra dje rreth orës 21:30. Plagoset edhe shoku i tij 17-vjeç
TIRANË- Vritet me armë zjarri jo shumë larg shtëpisë së tij, menaxheri i një lokali dhe plagoset një person tjetër person, i cili ndodhej me viktimën në momentin e ngjarjes. Krimi ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 21:30 në rrugën "Sulejman Delvina".
Viktima, e identifikuar me emrin Elton Lulo, 29 vjeç, ndodhej në një nga lokalet e lagjes ku ai banonte. Bashkë me të mbeti i i plagosur edhe Bledar Caca, 19 vjeç, gjithashtu banor i lagjes. Autori, që sipas policisë, mendohet se ka qenë një person i vetëm, qëlloi katër herë në trupin e viktimës, duke e lënë të vdekur në vend. Sipas burimeve të policisë, viktima mori katër plumba në kokë dhe në trup ndërsa shoku i tij ka marrë një plagë por pa dëmtime serioze dhe dje në mbrëmje doli nga spitali.
Sipas burimeve të policisë autori, autori është larguar me shpejtësi në drejtimin e kundërt të rrugës nga erdhi duke kaluar një qendër biznesi dhe një supermarket për tu zhdukur më pas mes një grumbulli pallatesh pranë stadiumit "Dinamo".
Nga të dhënat e policisë mësohet se autori i ngjarjes, i cili deri në orët e para të ditës së sotme nuk është identifikuar ende, ka qenë një person i vetëm dhe sapo është futur brenda në lokal ka qëlluar mbi 29 vjeçarin me katër plumba pistoletë.
Në vendin e krimit mbërritën forca të shumta policie dhe vetë drejtuesit e bluve të kryeqytetit.
Edhe vetë familjarët e viktimës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, duke qenë se ai Lulo, banonte vetëm 200 metra larg vendit të krimit dhe banorë të shumtë të lagjes. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar dy predha të kalibrit 9 mm dhe mendohet se arma mund të ketë qenë pistoletë "Zastava", prodhim serb, ose "Bereta", armë që përdorin kryesisht plumba të këtij kalibri.
Mësohet se uniformat blu kanë shoqëruar disa persona, banorë të lagjes, të cilat janë marrë në pyetje për aktivitetin e personit që mbeti i vdekur nga të shtënat e armë.
Pista e policisë është përqendruar në të kaluarën e viktimës nëse ky i fundit ka pasur apo jo konflikte, por hetimet paraprake të Policisë së kryeqytetit nuk kanë nxjerrë ndonjë motiv për ngjarjen që përfundoi me një të vdekur dhe një të plagosur. Sipas dëshmive që kanë dhënë në polici fqinjët e viktimës, ky i fundit ishte punësuar para dhjetë ditësh si menaxher i njërit prej pub-ve që ndodhet afër vendit ky mbeti i vdekur, por njihej edhe si menaxher lokalesh në Tiranë.