E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëmbehet adoleshentja, kthehet "prostitutë"

Policia arreston katër të dyshuar për mbajtjen me forcë të 17- vjeçares nga Tirana dhe liron vajzën e rrëmbyer


Vajza u mbajt në një apartament në kryeqytet, ku i dërgoheshin klientë të ndryshëm për një çmim nga 5- 10 mije lekë të reja


TIRANË- Një vajzë 17- vjeçare është mbajtur peng dhe shfrytëzuar me forcë për qëllime prostitucioni nga një grup personash prej katër vetësh të cilët u arrestuan nga policia e kryeqytetit me akuzën e shfrytëzimit të të miturave për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese dhe të heqjes së paligjshme të lirisë.


Arrestimi u krye gjatë operacionit të koduar "Mysafiri", i realizuar në një apartament në kryeqytet në afërsi të Unazës së Re, ku e dëmtuara ishte mbajtur e fshehur për së paku tri muaj nga një grup prej katër personash të arrestuar nga policia.


Vajza e cila është 17 vjeç, prej disa muajsh ishte larguar nga banesa e saj është mbajtur pa dëshirë për të ushtruar prostitucion dhe është shfrytëzuar për këtë qëllim, në hotele të ndryshme të kryeqytetit.


Artur Përndokaj, 44 vjeç, Gentian Prenga, 27 vjeç, Albert Stafa, 27 vjeç dhe Fjordi Avdiu, 24 vjeç, të katër banues në Tiranë, u arrestuan nga oficerët e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme të Policisë të Tiranës, të dyshuar për shfrytëzimin e adoleshentes.


Vajza mësohet se ishte punësuar fillimisht si punonjëse e një qendre interneti në kryeqytet nga Gentian Prenga, e madje kishte lidhur një farë miqësie me familjen e vajzës duke qenë se ajo punonte tek ai.


Rreth dy javë më pas vajza ishte zhdukur dhe nuk shkonte në banesë. Menjëherë familja ka denoncuar zhdukjen e vajzës në polici duke nisur hetimin. Ndërkaq, Prenga i pyetur nga policia ka pohuar se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e vajzës.


Atorët gjatë kësaj kohe kanë nisur shfrytëzimin e vajzës e cila ishte strehuar në një apartament në kryeqytet, në afërsi të Unazës së Re.. Herë me kërcënime dhe herë me para, vajza është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm të cilët i dërgoheshin asaj në apartament. Në të kundërt, klientët e prisnin ndonjëherë vajzën në hotel ku pasi bënin pagesën nga 50 - 100 mijë lekë të vjetra, në varësi të klientit.


Herë pas here vajza iu dërgohej klientëve të ndryshëm në hotele në autostratë apo në kryeqytet, ku ata i kishin zgjedhur vetë ata dhe më pas vajza kthehej sërish në vendin ku qëndronte e izoluar.


E dëmtuara ka dëshmuar në polici për mënyrën se si është shfrytëzuar pa dëshirën e saj dhe është mbajtur me forcë për të ushtruar prostitucion në hotelet e kryeqytetit.


Si provë materiale policia ka sekuestruar edhe dy makina, rreth 15 mijë lekë të rinj dhe 20 telefona celularë. Në një njoftim zyrtar të Policisë së Tiranës, bëhet e ditur se zbulimi i këtij aktiviteti dhe arrestimi i katër personave u bë gjatë operacionit të koduar "Mysafiri", pas informacioneve të specialistëve të Trafiqeve të Paligjshme për vendndodhjen e personave që u arrestuan si të dyshuar për shfrytëzimin me dhunë të vajzës 17- vjeçare.


Artur Përndokaj, Gentian Prenga dhe Albert Stafa akuzohen nga Prokuroria për veprat penale të "trafikimit të femrave" dhe "heqjes së pa ligjshme të lirisë", ndërsa i arrestuari i katërt, Fjordi Avdiu, akuzohet për "mbajtje të lokaleve për qëllime prostitucioni". Hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me katër të arrestuarit për shfrytëzimin e 17- vjeçares.


Të arrestuarit e operacionit "Mysafiri"


Artur Përndokaj, 44 vjeç
Gentian Prenga, 27 vjeç
Albert Stafa, 27 vjeç
Fjordi Avdiu, 24 vjeç

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›