Armand Likaj pas udhëtimit Rosinian
Intervistë me baritonin Armand Likaj, i cili tregon për përvojën e parë të vërtetë larg skenës shqiptare. Don Profondo, personazhi Rossinian, me të cilin Likaj prezantohet në Itali. Tani kërkon një agjent dhe mundësi për të kënduar në një teatër tjetër
Ka një veçanti karakteristike tek njerëzit që arrijnë vetë gjithçka. Një lloj shmangieje ndaj fjalëve të fryra dhe boshe, indiferencë ndaj zmadhimeve mediatike, një thjeshtësi që të bën për vete, të tërheq, të bind. Me ta, çdo bisedë vjen natyrshëm, e çliruar nga kortezitë plastike, sikletet, stisjet...si kjo intervistë me baritonin Armand Likaj, i cili tregon për përvojën e parë të vërtetë larg skenës shqiptare, në një mjedis tjetër, në të cilin "dirigjohesh" nga të tjerë artistë dhe të ndjek një tjetër publik.
Nga "Tirana Music Festival", në audicionin e Peruxhës dhe tani në Pesaro, për të marrë pjesë në "Rossini Opera Festival". Këto kanë qenë stacionet e udhëtimit të parë të baritonit 26-vjeçar drejt një përvoje ndryshe. Orari i provave, shfaqjeve, mënyra e interpretimit, kultura e artistëve, ajo e publikut, kanë qenë detajet e para që i kanë mundur shikimin, i kanë rrëmbyer vëmendjen, i kanë lënë të kuptojë më shumë. Përgjatë tri javëve, ai iu dorëzua vëmendjes së mjeshtërve italianë, orëve të gjata të punës, ritmit të çdo dite, duke arritur pak nga pak drejt rezultatit pozitiv, një rol kryesor në operën "Viaggio a Reims", pikërisht në shtëpinë e Rossini-t.
Roli i Don Profondo-s rrëfeu shumë nga brendia e tij, duke gjurmuar thellë në karakterin vokal, mënyrën e interpretimit, e madje, edhe në skutat më të errëta të ndjesive. Në datat 12 dhe 13 gusht, Armand Likaj këndoi, interpretoi, imitoi dhe u pëlqye në skenën e Rossin-it.
Sapo jeni kthyer nga përvoja e parë në një skenë të huaj. Çfarë ruani të freskët në kujtesë?
Do të ndalem tek disa detaje, të cilat nuk kanë bërë pjesë në përditshmërinë e punës sime dhe që në vëzhgimin e parë më prekën, ndikuan tek unë. Më bëri përshtypje kultura e shfaqjeve në orët e paradites dhe kjo reflektohej qartë edhe tek gatishmëria e interpretuesve për të kënduar dhe e publikut për ta shijuar shfaqjen edhe në këtë orë. Për mua ishte diçka e re, pasi nuk isha mësuar dhe asnjëherë nuk më kishte ndodhur që në 11-të të paradites të isha në skenë. I paprovuar ishte edhe stili i veçantë i kompozitorit italian, veprat e të cilit nuk i kisha prekur asnjëherë.
Ritmi i punës ishte gjithashtu shumë intensiv. Kemi punuar paradite dhe pasdite me pianistin dhe me maestro Alberto Zetta-n, praktikë që në fillim e pata paksa të vështirë, pasi nuk isha mësuar të punoja aq herët dhe të bëja prova përpara një auditori. Në stolat e rezervuar për publikun, gjatë kohës së provave, na ndiqnin të gjithë ata që kishin konkurruar në "Akademinë e Rossini-t" , por që nuk kishin fituar. Zhvillimi i provave në këtë mënyrë të mbante gjithmonë në tension, në punë, të përkushtuar.
Gjatë 3 javëve konkurrimi për caktimin e personazhit, a e menduat se do të fitonit një rol kryesor?
Ky rol ishte surpriza më e madhe e gjithë kësaj përvoje. Për personazhin e Don Profondo-s konkurruan këngëtarë lirikë nga Amerika, Kanadaja, Brazili, Kuba, Rusia, Armenia, Rumania. Kur u përballa me përgatitjen e tyre, fillova të uroja që të dilja në këtë teatër qoftë edhe me një rol sekondar, episodik. Besimi i personave me të cilët bashkëpunova, më dha shtysë për të punuar më shumë dhe pas tri javësh m'u caktua roli kryesor.
Si erdhi ai tek ju, sa u "miqësua" Don Profondo-ja me Armandon?
Tek ky rol më pëlqeu raporti që kisha me të gjithë personazhet e tjerë. Ishte një galeri e tërë karakteresh dhe gjuhësh. Aria ime përmblidhte imitimin e të gjithë personave që ishin pjesë e këtij udhëtimi, nga zotëria gjerman, anglez, ai francez, tek madama italiane, markezja polake, kontesha franceze.
Edhe pse teknikisht ishte i vështirë ndryshimi i zërit, shndërrimi në interpretim, në fund, kur ia dola, e kuptova që ishte pikërisht kjo vështirësi që më dha kënaqësinë e të shijuarit. Mora pjesë edhe në provat e interpretuesve të tjerë, për të "rrëmbyer" karakteristikën e një veprimi, një gjesti, i cili e afronte interpretuesin me rolin. Përveç përshtatjes së vokalit, kam punuar shumë për të bërë dallimin e një personazhi nga tjetri, duke e stisur me të gjitha karakteristikat e tij.
Pasi hedh një hap në karrierë, vështirë se kthehesh ndonjëherë pas. Keni prekur një eksperiencë me vlerë vetëm pas 3 vjetësh pune në TKOB. Tani jeni në kërkim të...
E gjithë puna që kam bërë dhe vazhdoj të bëj më ka shtuar shumë pretendimet dhe përgjegjësinë me të cilën unë duhet të paraqitem në skenë. Mbetem në pritje të ndonjë oferte nga ndonjë tjetër teatër. Por, më duhet të theksoj se ndjej mungesën e ndonjë agjenti që të më drejtojë e të më udhëheqë në punën time, të më gjejë mundësinë ku të këndoj.
Përse artistët këtu mësohen me skenën dhe nuk kërkojnë ndryshimin, të renë?
Këtu dhe askund nuk duhet të mësohesh, artisti nuk i përket vetëm një teatri. Sa më shumë eksperienca të reja të prekësh, aq më shumë do kërkosh nga vetja, nga të tjerët. Duhet të dish të qëndrosh në ambiente të tjera, të kesh oferta dhe jo të mbetesh gjithmonë me kokën pas. Përherë ka diçka të re dhe diçka më të mirë.
Publiku ju kujton në operat: "Norma", "Lucia di Lammermoor", "Gianni Schicchi" etj. Po në këtë sezon të ri artistik, në cilat pjesë do t'ju shohim?
Sapo janë ndarë rolet e operës "Porgy and Bess" të kompozitorit amerikan Gershwin, ku më është caktuar roli i Crown-it. Ende nuk mund të them asgjë, pasi akoma nuk e kam zbërthyer plotësisht veprën. Kjo operë do të vijë në muajin tetor në skenën e Teatrit të Operës. Kurse më vonë do të punoj për një pjesë vërtet të rëndësishme, atë "Salome" nga Shtraus.