Tragjedia në Ohër, Topi e Berisha ngushëllojnë homologët
TIRANË- Një ditë pas tragjedisë në Ohër, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe kryeministri, Sali Berisha i janë drejtuar me mesazhe ngushëllimi homologëve të tyre bullgarë.
Mesazhi i Topit shkon për presidentin bullgar, Georgi Parvanov për viktimat e aksidentit tragjik të fundosjes së anijes "Ilinden" në liqenin e Ohrit.
"Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, më lejoni t'Ju përcjell Ju si Kryetar i shtetit bullgar dhe nëpërmjet jush familjarëve të të gjitha viktimave ngushëllimet më të thella e të sinqerta për këtë humbje të rëndë!
Ju lutem, pranoni Zoti President, ndjenjat e mbështetjes dhe solidaritetit të sinqertë të popullit shqiptar në këto momente të rënda të kësaj tragjedie njerëzore." - përfundon mezazhi ngushëllues i Presidentit të Shqipërisë drejtuar Presidentit Parvanov
Ndërkohë në mesazhin e tij, drejtuar kreut të qeverisë bullgare Bojko Borisov dhe atij maqedonas Nikola Gruevski, Berisha shpreh solidaritetin dhe ngushëllimet e tij dhe popullit shqiptar. "Unë lutem bashkë me ju që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar."- përfundon ai.
*****
5 shtator
Tragjedi në Ohër, mbytet anija me turistë, 19 të vdekur. S'ka shqiptarë
OHER (UPDATE) - Rritet bilanci i viktimave të tragjedisë së Ohrit. Deri më tani (ora 17:00) janë gjetur në liqen trupat e pajetë të 19 personave. Ndërkohë skuadra e kërkim-shpëtimit vazhdon punën për nxjerrjen e trupave të tjerë, pasi ka ende persona të deklaruar të zhdukur. Anija maqedonase "Ilinden" u mbyt rreth 200 metra nga bregu i Liqenit të Ohrit, në afërsi të auto-kampit "Eleshec". Në bord ishin shumë turistë bullgarë që ishin nisur të vizitonin Manastirin e Shën Naumit. Nuk dihet ende numri i saktë i personave që ishin në anije, e cila kishte kapacitet për 45 persona, por dyshohet të jetë mbushur me afro 70 pasagjerë, ç'ka është bërë edhe shkak për mbytjen. Burime zyrtare nga qeveria maqedonase, thanë se ndër të mbijetuarit, 3 janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerëve (numri nuk dihet i saktë) iu është dhënë ndihma e parë dhe janë larguar nga spitali i Ohrit.
Në anije s'kishte shqiptarë
Konfirmohet se gjithë udhëtarët kanë qenë shtetas bullgarë. Interesimit të medias shqiptare i është përgjigjur konsulli në Maqedoni, Alfred Hoxha, tha se nuk ka asnjë konfirmim për turistë shqiptarë në bordin e anijes. "Jemi njohur me tragjedinë në brigjet e Ohrit, kur u mbyt anija me një grup turistësh bullgarë që ishin nisur të vizitonin Manastirin e Shën Naumit. Besohet se ngarkesa tej normave të anijes ka shkaktuar tragjedinë. Ajo kishte licencë për 43 pasagjerë, ndërsa mendohet që në bord të kenë qenë rreth 70 vetë. Nga të dhënat e deritanishme, nuk ka pasur shqiptarë, ata kanë qenë të gjithë bullgarë", u shpreh Hoxha.
Anija u mbyt për 30 sekonda
Anija u mbyt në hapësirën e 30 sekondave. Kështu ka thënë për AFP-së, një dëshmitar okular që është polic i EULEX në Kosovë. "Nxora celularin dhe e fotografova anijen ndërkohë që ishte e batuar, ndërsa në kohën që zbrita nga makina, as tridhjetë sekonda, ishte mbytur", deklaroi ky dëshmitar Gérard Guittat, shtetas francez. "Ndodhesha në makinën time dhe po largohesha nga Ohri në drejtim të kufirit shqiptar, rruga shkon përgjatë bregut dhe në të djathtën time rreth 200-300 metra larg bregut, pashë një anije të mbushur me turistë që për një arsye të pashpjeguar u anua nga e djathta", vijoi ai. Guittat është polic me profesion dhe punon aktualisht në Kosovë në misionin e Bashkimit Evropian (Eulex). Ai po kalonte fundjavën në Ohër (jugperëndim). Sipas tij, "rreth 100 persona" ndodheshin në bordin e anijes së "ngarkuar mirë". Anija, "Ilinden", ndodhej rreth 200 metra larg bregut kur u mbyt për arsye ende të panjohura rreth orës 11:00 (09:00 GMT).
Tragjedia, jep dorëheqjen ministri
Ministri maqedonas i Transporteve dhe Komunikacioneve, Mile Janakieski dha dorëheqjen pas mbytjes së anijes "Ilinden" në ujërat e liqenit të Ohrit. Janakieski tha se dorëheqjen do t'ia dorëzonte kryeministrit Nikolla Gruevski. Ndërkohë Qeveria e Republikës së Maqedonisë do të zhvillojë sonte një seancë të jashtëzakonshme me rastin e mbytjes së anijes turistike "Ilinden" në liqenin e Ohrit. Njëkohësisht, qeveria maqedonase vendosi që ditën e nesërme, 6 shtatorin, ta shpallë ditë zie në Republikën e Maqedonisë. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe disa ministra ndodhen tani në Ohër.
Anija ishte e certifikuar
Agjencia maqedonase e lajmeve MIA shkruan se anija "Ilinden" ka qenë e regjistruar me çertifikatë për aftësi të anijeve për lundrim në Liqenin e Ohrit të lëshuar më 29 maj të vitit 2009, me validitet deri më 23 maj të vitit 2010, konfirmuan burime në Ministrinë maqedonase të Transportit dhe Lidhjeve. Anija ka qenë e regjistruar për transportin e 45 personave, por sipas informacioneve të ekipeve të shpëtimit nga vendi i fatkeqësisë në momentin e mbytjes, në të kanë qenë 74 udhëtarë. Burime në Ministrinë e Transportit njoftojnë se konform ligjit për lundrim të brendshëm, Kapiteneria e porteve me seli në Ohër do të ndërmarrë aktivitete për vërtetimin e shkaqeve të aksidentit tragjik.
Ministri: Dyshohet, mbingarkesa
Rreth një orë pas ngjarjes së rëndë, qeveritarët maqedonas nga vendi i ngjarjes thanë se "janë të paktën 12 persona që kanë humbur jetën, ndërsa dyshohet se janë edhe më shumë. Ministri i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski është shprehur se "mendohet se numri i viktimave mund të jetë më i madh, duke pasur parasysh se në anije ndodheshin pesëdhjetë udhëtarë, shumica e të cilëve turistë nga Bullgaria". Sipas tij, anija nuk kishte probleme nga ana teknike, por se ajo ka transportuar më tepër udhëtarë nga sa lejohej. Mes të parëve që u dhanë ndihmë pasagjerëve në anije ishin ekipet e zhytjes të Ministrisë së Brendshme, të cilët po kryenin një trajnim të rregullt në afërsi të vendit ku ndodhi fatkeqësia dhe menjëherë janë inkuadruar në operacione shpëtimi. Një numër i madh ekipesh mjekësore ndodhen në vendngjarje. Në Ohër kanë shkuar presidenti Gjorge Ivanov, kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski. Në Ohër ndodhen edhe përfaqësues të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.