Rama: Bojkoti i Kuvendit, rezistencë demokratike
Bashkëbisedimi / Kreu socialist ka shpjeguar vendimin e forumeve të PS-së për marrëdhëniet me Kuvendin
Në një bashkëbisedim me gazetarët, fill pas mbledhjes së grupit Parlamentar, kreu në detyrë i socialistëve, Edi Rama, ka shpjeguar në mënyrë të detajuar vendimin e forumeve partiake për të kushtëzuar marrëdhëniet e kësaj force dhe deputetëve të saj me Kuvendin e ri. Ai ka bërë të ditur se fillimisht kryesia dhe më pas grupi kanë vendosur që të ndërtojë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin.
Z. Rama, mund të na thoni më konkretisht çfarë vendosi grupi lidhur qëndrimin e mëtejshëm?
Është vendosur që një grup pune të bëjë formulimin përfundimtar të kushteve të kësaj marrëdhënieje në situatën aktuale, pra nuk diskutohet për qëndrimin, qëndrimi është i qartë, qëndrimi është i prerë. PS-ja nuk hyn në Parlament, sepse e konsideron këtë institucion, si një institucion me legjitimitet të cunguar dhe për të hyrë në Parlament vendos një sërë kushtesh, të cilat janë kushte që mundësojnë njëkohësisht edhe një aksion publik dhe politik, për të sqaruar të gjithë opinionin publik lidhur me arsyet pse ne e shohim këtë Parlament si një institucion me legjitimitet të cunguar dhe njëkohësisht me arsyet pse ne kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me këtë Parlament. E përsëris, duhet të jetë e qartë për të gjithë. Ne kërkojmë që Parlamenti të vihet në dispozicion të transparencës mbi procesin zgjedhor dhe njëkohësisht të korrigjimit të të gjitha atyre defekteve të rënda që u përkthyen në deformim i vullnetit të popullit.
Kjo është arsyeja themelore që nuk ka të bëjë me pushtetin, por ka të bëjë me shtetin. Ka të bëjë me një shtet që nuk mund të jetë makina elektorale e pushtetit, por që duhet të jetë në shërbim të të gjithëve. Ka të bëjë me liritë dhe me të drejtat. Në një vend ku liria për të zgjedhur katandiset në një të drejtë abuzive të pushtetit për të përcaktuar fatin e zgjedhjeve, nuk ka më liri për të konkurruar, nuk ka liri për të konkurruar për një vend në administratën shtetërore.
Nuk ka liri për të konkurruar në sipërmarrjen e lirë, nuk ka liri për të konkurruar asgjëkundi, sepse çdo liri kushtëzohet nga raporti me një pushtet abuziv, nga raporti me një projekt që është projekti i Sali Berishës në bashkëpunim me Ilir Metën dhe me Fatos Nanon, që duan ta kthejnë Shqipërinë në një livadh për tarafet e tyre dhe për oborret e tyre familjare e klanore. Ne nuk jemi të gatshëm ta pranojmë këtë projekt, përkundrazi, jemi këtu për ta refuzuar dhe për të luftuar këtë projekt me të gjitha mjetet demokratike.
Cilat do të jenë modalitetet që do të përcaktojë grupi i punës që ju keni rënë dakord të ngrini për këtë çështje?
Për fat të mirë jemi ende në një kohë ku rrugët e komunikimit me publikun janë akoma të hapura dhe kur mundësia për t'i transmetuar publikut gjërat që një forcë politike kërkon t'i transmetojë, mbetet ende e vlefshme. E përsëris, nuk kanë kurrfarë rëndësie modalitetet dhe as proceduarat, rëndësi ka thelbi i këtij qëndrimi. Është një qëndrim politik dhe një qëndrim qytetar, që ka të bëjë me refuzimin e maskaradës zgjedhore të 28 qershorit, që ka të bëjë me refuzimin për të jetuar në një republikë ku pushteti numëron, pavarësisht sesi zgjedhësi vendos dhe ku pastaj ky pushtet që e kthen vendimmarrjen sovrane të popullit në një vendimmarrje të makinerisë së tij kriminale elektorale bën çfarë t'i teket me çdo qytetar e qytetare. Kjo nuk mund të jetë një situatë ku opozita të bëhet pjesë pa kushte. Kjo është një situatë ku opozita kushtëzon qëndrimet e saj.
A jeni konsultuar me faktorin ndërkombëtar për këtë vendim dhe sa e dëmton ai imazhin e vendit tonë në marrëdhënie me ta?
Komuniteti ndërkombëtar është një komunitet mik dhe partner i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm në proceset demokratike dhe në proceset e integrimit në Shqipëri. Por, çdo faktor ka rolin dhe ka hapësirën e vet të veprimit në këto procese. Ne kemi dëshmuar se jemi një forcë politike që vë interesat e vendit mbi interesat politike të momentit dhe kemi ndërmarrë hapa të panjohur më parë në politikën shqiptare, të cilat për një periudhë kohe të rëndësishme kanë mundësuar përpjekje dhe reforma të lëvduara nga komuniteti ndërkombëtar.
Partia Socialiste ka marrë lëvdata të posaçme për qëndrimet e veta, i kemi bërë këto për t'i dhënë Shqipërisë mundësinë jo që të ketë zgjedhje pak më të mira se ato që kaluan, por që të ketë zgjedhje si në një vend të BE-së dhe si në një vend anëtar të NATO-s. Ne nuk mund ta pranojmë që Shqipëria është një i sëmurë, të cilit i thuhet, je pak më mirë se dje, por vazhdo të lëngosh në shtrat, se duhet të vazhdosh të marrësh ilaçet dhe duhet të vazhdosh të bësh kurat për t'u shëruar.
\Ky pushtet duhet të kuptojë se nuk ka marrë mandat për të vazhduar të marshojë mbi kokat tona dhe të bëjë çfarë i duhet interesave krejt të veçanta të Sali Berishës, të familjes së tij, të oborrit të tij apo interesave të bahçes në pjesën e prapme të oborrit të Ilir Metës apo interesat e Fatos Nanos. Dhe për shkak të një trysnie që i vë të gjithë poshtë. Këtë ne nuk mund ta pranojmë dhe ndaj kësaj ne do të rezistojmë. Kjo është esenca e vendimit të grupit parlamentar dhe këtu nuk hyjnë procedurat, nuk hyjnë modalitet, këto janë çështje që i takojnë vijimësisë.
Z. Rama, një prej kushteve tuaja është dhe numërimi i votave në tre qarqe, keni menduar nga pikëpamja juridike si mund të zhvillohet ky proces, edhe pasi kanë kaluar në Kolegjin Zgjedhor?
Në Shqipëri pushteti gjyqësor ra në momentin kur e drejta, kur e shkruara e zeza mbi të bardhë dhe e pranuar nga palët në hartimin e Kodit Zgjedhor si një garanci e çdo pale për të hapur çdo kuti votimi jo me "në rast se", por pa asnjë "në rast se", pra pa asnjë kushtëzim u mohua. Dhe në këtë moment e përsëris, kontestimi ynë është shumë i qartë, ne nuk kemi thënë që nuk njohim rezultatin e zgjedhjeve në kuptimin legal, se po të kishim arritur në këtë pikë, atëherë do të ishim në kushte krejt të tjera e veprimet tona do të ishin krejt të tjera.
Por kemi thënë që rezultati është i papranueshëm për shkakun e thjeshtë se, përgjatë gjithë procesit na janë mohuar liri dhe të drejta njëra pas tjetrës, e për këto liri e të drejta ne do të mbajmë qëndrimet tona. Askush nuk ka pse të çuditet e askush nuk ka pse ta shohë qëndrimin tonë si një qëndrim i cili kushtëzohet nga çfarë do gjëje tjetër përveçse pasionit tonë demokratik, politik e qytetar. Ne jemi qytetarë të këtij vendi e ky vend nuk është as pronë e as plaçkë e Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos. Ky vend është vendi ynë i përbashkët, ku duhet të ketë liri dhe të drejta të barabarta, qoftë për këta tre zotërinj që vetëm zotërinj nuk janë, qoftë për të gjithë të tjerët, qoftë për ata që votojnë Partinë Demokratike, qoftë për ata që votojnë Partinë Socialiste, qoftë për ata që nuk votojnë asnjërën prej këtyre dy partive, qoftë për ata që nuk votojnë fare. Kjo është republika e të gjithëve, kjo nuk është republika e një apo tre sulltanëve.
Kjo është një republikë ku ne kemi detyrime qytetare që të rezistojmë, siç kemi rezistuar në të shkuarën e siç kemi rezistuar e kohë më parë, ku s'bëhej fjalë fare as për Parlament e as për pluralizëm, sepse këtu kemi liri e të drejta të barabarta, e nuk i negociojmë, e nuk i shesim, e nuk i falim këto liri e të drejta as tek Sali Berisha, as tek Ilir Meta e as tek Fatos Nano.
A do të kërkoni ta ndryshoni Kodin Zgjedhor apo sistemin e tij?
Këto janë të gjitha çështje që meritojnë diskutim, por që sot jemi në këtë fazë dhe e përsëris, PS-ja nuk e ka braktisur Parlamentin, PS-ja ka kushtëzuar hyrjen në Parlament dhe më lejoni t'ju them edhe diçka, që aksioni ynë politik nuk varet fare as nga Saliu, as nga Iliri e as nga Fatosi, aksioni ynë politik varet nga ne, jemi ne që marrim vendime sovrane në emër të atyre që na kanë votuar e që me të drejtën e Zotit thonë, për votat tona të grabitura duhet të ngrini zërin dhe duhet të mbani qëndrimet përkatëse.
Po për sa u përket disa zërave që janë kundër qëndrimit tuaj për mos hyrjen në Parlament, mendoni se do jeni një dhe kompakt m.q.s. nuk do hyni në Parlament?
Debatet e brendshme unë i konsideroj debate të brendshme. Përpara jush jam për të artikuluar qëndrimet e vendosura demokratikisht brenda nesh.