“Armëpushim në letër, shkatërrim në terren”, “BBC Verify”: Izraeli ka rrafshuar mbi 1.500 ndërtesa të reja në Gaza

Pamjet satelitore të analizuara nga “BBC Verify” tregojnë se Izraeli ka shkatërruar mbi 1.500 ndërtesa në zonat e Gazës që ndodhen nën kontrollin e tij, që nga nisja e armëpushimit me Hamasin më 10 tetor.
Sipas fotografive të reja të realizuara më 8 nëntor, lagje të tëra janë rrafshuar me tokën për më pak se një muaj. “BBC” raporton se këto shkatërrime dyshohet të jenë bërë përmes shpërthimeve të qëllimshme.
Ekspertë ndërkombëtarë thonë se këto veprime mund të përbëjnë shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Egjipti, Katari dhe Turqia.
Megjithatë, një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka deklaruar për “BBC Verify” se forcat po veprojnë “në përputhje me kornizën e armëpushimit”. Në planin 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për paqen në Gaza, thuhet se të gjitha operacionet ushtarake duhet të ndalen plotësisht.
Trump ka theksuar disa herë publikisht se “lufta ka marrë fund”. Por analiza e “BBC Verify” tregon se shkatërrimet me eksploziv nga ushtria izraelite po vazhdojnë me intensitet të lartë.
Sipas të dhënave, një pjesë e madhe e ndërtesave janë shkatërruar në anën jugore të Vijës së Verdhë, që ndan Gazën në dy pjesë.
Kjo zonë, sipas marrëveshjes, duhej të ishte boshatisur nga trupat izraelite. Pamjet tregojnë se shumë ndërtesa nuk kishin dëmtime para se të rrënoheshin.
Një prej zonave më të prekura është ajo lindore e qytetit Khan Younis, përreth Abasan al-Kabiras.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/