Atentati në Rinas, AMP pezullon zinxhirin komandues të Forcës Operacionale, i plagosuri punonjës i saj: Po hetojmë si u rekrutua

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një verifikim të brendshëm pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i plagosur punonjësi i saj, M.Sh.
Sipas njoftimit zyrtar, janë vënë në lëvizje të gjitha strukturat për të hetuar procedurat e rekrutimit të M.SH. që prej shtatorit 2025.
Gjithashtu Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve”, thuhet në njoftimin e AMP.
Gjatë atentatit të ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur për drejtësinë, ndërsa u plagos miku i tij, M.Sh., i cili rezulton të jetë punonjës i AMP.
/rtsh.al/