BE nën presion migrator – Spanja, Italia, Greqia dhe Qiproja do të marrin ndihmë nga vendet e tjera

Komisioni Europian ka publikuar raportin e parë vjetor për azilin dhe migracionin, duke vlerësuar situatën në vendet e BE-së.
Spanja, Italia, Greqia dhe Qiproja konsiderohen si vendet “nën presion migrator”, për shkak të numrit të lartë të migrantëve që kanë mbërritur vitin e kaluar. Ky nivel është quajtur nga Komisioni si “joproporcional”. Për të lehtësuar presionin, këto vende do të përfitojnë në 2026 nga solidariteti i shteteve të tjera anëtare të BE-së.
Solidariteti mund të shprehet ose duke pranuar azilkërkues të zhvendosur, ose përmes kontributeve financiare. Komisioni ka propozuar Fondin Vjetor të Solidaritetit, i cili do të përcaktojë numrin e azilkërkuesve dhe shumën që secili vend duhet të ndajë. Propozimi ende nuk është publikuar dhe do të diskutohet nga shtetet e BE-së, të cilat do të vendosin për pjesën e secilit deri në fund të vitit.
Çdo shtet që nuk është nën presion duhet të kontribuojë sipas popullsisë dhe PBB-së së tij. Opsionet janë tre: të pranojë azilkërkues, të paguajë 20 mijë euro për person, ose të mbështesë operacionet në vendet nën presion.
Vendimi përfundimtar do të merret me shumicë të kualifikuar votash, me një minimum prej 30,000 zhvendosjesh dhe 600 milionë euro në kontribute financiare. Raporti identifikon gjithashtu 12 shtete të tjera “në rrezik nga presioni migrator”, që duhet të ndihmojnë për të balancuar situatën.
Një grup i tretë vendesh përballet me “situatë të rëndësishme migratore” dhe mund të kërkojë përjashtime nga kuotat.
Ky sistem dhe fondi i solidaritetit do të shërbejnë si bazë për “solidaritetin e detyrueshëm” të parashikuar në Paktin për Migracionin dhe Azilin, reformë kryesore e politikës së migracionit e miratuar në 2024.
Gazetar: Artur Mata
/rtsh.al/