Armëpushimi në Rripin e Gazës do të respektohet
Gaza - Të dyja palët e konflitit ushtarak në Rripin e Gazës, Izraeli dhe Hamasi radikal islamik, pas 22 ditë luftimesh do të respektojnë armëpushimin e shpallur, bëjnë të ditur agjensitë. Izraeli filloi ndërprerjen e sulmeve dhe tërheqjen e trupave hap pas hapi. Kryeministri Ehud Olmert tha pas një takimi me shefat e shteteve dhe qeverive nga BE-ja, ndër to edhe me Kancelaren Angela Merkel, se Izraeli nuk ka interes që të qëndrojë në Rripin e Gazës. Hamasi dhe grupet e tjera militante palestineze, pas shpalljes së armëpushimit ndërprenë të djelën sulmet me raketa ndaj Izraelit. Sipas të dhënave të autoritetit shëndetësor në qytetin e Gazës, prej fillimit të ofensivës izraelite më 27 dhjetor, kanë vdekur 1310 palestinezë dhe janë plagosur rreth 5500 njerëz. Nga pala izraelite kanë humbur jetën dhjetë ushtarë dhe tre civilë.