Armët e Skënderbeut, tre muaj në Tiranë

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut do të sillen nga Austria në Shqipëri për t’u ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ndërsa Muzeu Historik Kombëtar i plotëson kushtet për ekspozimin e objekteve, njoftoi grupi ekspertëve austriakë që qëndroi dy ditë në Shqipëri.
Gjatë vizitës, grupi inspektoi hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar, dhe analizoi kushtet e sallës ku do të ekspozohen këto objekte. Sipas austriakëve, salla i plotëson kushtet teknike, përkundër mungesës së aparatit të klimatizimit.
“Konstatuam se kushtet janë të mira. Do të sjellim një vitrinë të re për siguri dhe klimën, ndërkohë që objekte do të qëndrojnë këtu 3 muaj. Por, nëse ka interesim mund t’i lëmë edhe tre muaj të tjerë”, deklaroi Christian Beaufort, kryetar i delegacionit të Muzeut të Vjenës.
Ndryshe, veç shpatës dhe përkrenares Muzeu i Vjenës do të dërgojë në Tiranë edhe njërin nga katër portretet origjinale të Skënderbeut.