E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çanta e Bajraktarit

Skulptori kosovar, Luan Bajraktari, ka hapur një ekspozitë personale në Deruta të Italisë. Me veprat e tij, Bajraktari thotë se konfrontohet me realitetin dhe me sfidat komplekse të shoqërisë moderne.

Një çantë dhe një termofor i kanë mjaftuar artistit kosovar, Luan Bajraktari, që me to të hapë një ekspozitë personale në Itali. Ai ka hapur para pak ditësh ekspozitën personale të titulluar ‘La Borsa’ në galerinë Freemocco’s House në Deruta të Italisë, kurator i së cilës është Saverio Verini, kurator nga Roma që punon në MACRO (Muzeu i Artit Bashkëkohor në Romë).

“Ekspozita pak a shumë është partikulare në mënyrën e prezantimit sikurse edhe hapësira, duke u bazuar në atë që punët e mia janë skulptura, pasi që unë prezantohem si skulptor thuaja çdo herë, por në të njëjtën kohë me punët që bëj konfrontohem me realitetin dhe me sfidat komplekse të shoqërisë moderne”, u shpreh Bajraktari për Express.

Në këtë ekspozitë ai ka prezantuar dy punime në qeramikë, ‘24 ore’ dhe ‘Borsa Calda’ në dy hapësira të ndryshme, brenda një shtëpie. Dera është e hapur në një shtëpi të ndarë në tri dhomëza: një dhomë me kuzhinë, një dhomë fjetjeje e zbrazët në të majtë, me një termofor që qëndron në dysheme, një banjë në të majtë – e ngushtë dhe e thellë – përfundon me një dush, në të cilin është e vendosur një çantë.

Bajraktari tregon arsyet se pse ka vendosur që të ekspozojë në këtë galeri. “Galeria është si një lloj shtëpie-galeri në kuptimin që të ketë edhe një frymë jete. Në bashkëpunim me kuratorin kemi vendosur t’i prezantojmë punët në këtë mënyrë siç shihen”, tregoi ai. Bajraktari shtoi se punët për bazë kanë përditshmërinë, mentalitetin, të ardhmen, traditën, ndërsa si material ka përdorur qeramikën, e cila, siç u shpreh ai, është një material i fortë e shumë antik.

Për veprat e ekspozuara të Bajraktarit, kuratori italian Saverio Verini ka shkruar se janë një art i bërë nga thjeshtësia dhe efikasiteti. “Veprat e Luanit, pothuajse gjithmonë të natyrës skulpturore, i gjejnë në menjëhershmëri dhe thjeshtësi çelësat për të hapur plotësisht derën e vëmendjes së vështruesit. Por është një trivialitet i gënjeshtërt. Paraqitja e hapur e veprave të tij (qofshin këto topa të futbollit apo fuçi nafte, të gjitha të bëra nga qeramika) sugjeron punë të padëmshme, por shtresë të fshehur të kuptimit dhe një shumëllojshmëri të niveleve të interpretimit. Vetëm kur vështruesi është gati të heqë dorë nga kuptimi i njëanshëm i veprës, diçka fillon të lëvizë: është pikërisht ky moment kur vepra e Luan Bajraktarit fillon të veprojë, duke na shtyrë të pyesim, sikurse në këtë rast, se çfarë kërkojnë dy çanta – njëra e nxehtë dhe tjetra për punë – në një shtëpi, respektivisht në një dhomë të zbrazët fjetjeje dhe në banjë”, shkruan muratori Verini. Ai shton se artisti Bajraktari përdor objekte të përditshmërisë, të zakonshme, duke i shndërruar ato në një material të ndryshëm nga ai me të cilin jemi mësuar. Riprodhimi i objektit dhe kalimi i tij nga një material në tjetrin, sipas muratorit italian, e ngre objektin e përfaqësuar në një ikonë apo totem, duke e nxjerrë nga rutina e përditshme prej nga ka ardhur.

“Kristalizimi: kjo është fjala që më së miri e përshkruan testamentin artistik të Luan Bajraktarit, i cili – intervenim pas intervenimi – e shtang rrjedhën e ngjarjeve dhe sjelljeve që ndikojnë në jetët dhe përvojat tona. Shtëpia që strehon dy veprat – fillimisht e pabanuar – bëhet pjesë integrale e instalacionit, duke kontribuar në formalizimin e një situate në ndryshim, por në të njëjtën kohë të mënjanuar përjetësisht. Sikur diçka duhet të ndryshojë menjëherë pas kësaj dhe askush nuk na jep siguri se struktura nuk qëndron gjithmonë e pandryshuar”, është shprehur Verini.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›