E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët kimike janë përdorur në Siri

Gazeta Shqip

Lufta civile

Izraeli thotë se ka fotografi të viktimave që sugjerojnë për gaz sarin

SiriaNjë zyrtar i lartë i ushtrisë së Izraelit tha se forcat siriane kanë përdorur armë kimike kundër rebelëve në shumë raste. Gjenerali Itali Brun tha se të dhënat e shërbimeve sekrete tregojnë se është e logjikshme të besohet se agjenti nervor sarin mund të jetë përdorur në një numër rastesh. Qeveria e Sirisë dhe rebelët kanë akuzuar njëri-tjetrin për përdorimin e armëve kimike. Një skuadër e OKB-së po përpiqet të hyjë në Siri për të hetuar. SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta tolerojë përdorimin e armëve kimike në Siri.

Duke folur në një konferencë sigurie në Jerusalem, gjenerali Brun tha: Në të kuptuarit e ekspertëve tanë, regjimi ka përdorur armët kimike vrasëse kundër rebelëve në një numër aksidentesh në të shkuarën.

Ai tha se kishte fotografi të viktimave me shkumë në gojë, me bebe syri të shtrënguar dhe me simptoma të tjera që përbëjnë indicie, të cilat tregojnë se armët kimike janë përdorur.

Dhe çfarë armësh kimike? Sipas Brun, duket se bëhet fjalë për gazin sarin. Regjimi po përdor gjithashtu armë kimike që neutralizojnë, por nuk janë fatale.

CIA beson se Siria ka pasur një program armësh kimike për shumë vite dhe se disponon një arsenal agjentësh kimikë që mund të përdoren duke u hedhur me avionë, raketë balistike apo artileri. Besohet se disponon gaz mustard dhe sarin. CIA beson se është përpjekur gjithashtu të zhvillojë gazin VX, i cili është edhe më helmues.

Një raport që citon agjencitë e inteligjencës të Turqisë, të vendeve arabe dhe të perëndimit, vlerëson se arsenali përbëhet nga 1 mijë tonë armësh kimike të magazinuara në 50 qytete. Siria nuk e ka nënshkruar konventën ndërkombëtare të ndalimit të armëve kimike apo biologjike.

Deri më sot nuk ka pasur konfirmim të përdorimit të armëve kimike në konfliktin dyvjeçar që ka shkaktuar një numër të pallogaritshëm viktimash mes civilëve. Të hënën, sekretari amerikan i mbrojtjes, Chuck Hagel, tha se përdorimi i armëve kimike do të ndryshojë lojën. Në dhjetor, Presidenti Obama paralajmëroi Asad se do të përballet me pasoja në rast se përdor armë kimike. Siria ka përsëritur se nuk do të përdorë kurrë armë kimike kundër popullit të vet.

Armët kimike janë përdorur në Siri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›