Koncesioni, dogana i kalon privatit
Skandali i fundit
Kontrolli i mallrave me skaner, qeveria fal për 15 vjet kontratën mbi 170 milionë euro
ARD KOLA
Në fund të mandatit qeverisës, Ministria e Financave po nënshkruan disa marrëveshje, të cilat rrethohen me dyshime mbi mënyrën sesi do të operohet. Në fillim ishte koncesioni i pullave fiskale, pastaj markimi i karburanteve dhe së fundmi, miratuar dje në Kuvend, kontrolli i mallrave në doganë, të cilat do të kryhen nga një shoqëri private. Të tria këto funksione i kryente shteti shqiptar, por me parimin e luftës ndaj informalitetit i kanë kaluar privatit.
Ky është një turp, u shpreh një deputet i mazhorancës, me kokën ulur, teksa po dilte nga mbledhja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i cili sapo kishte votuar pro marrëveshjes së koncesionit. Cili është parimi, pse po e japim, ishin të tjera pikëpyetje, për të cilat nuk kishte pasur kurajë ti shtronte për diskutim në komision, për hir të moralit politik.
Opozita ishte më e lehtësuar të mësonte diçka më shumë se pse qeveria po ia kalonte këtë shërbim një kompanie private, me cilat kushte, çfarë gare u realizua, a ishte transparente, sa do të paguajë ekstra subjekti importues etj., etj.
Projektligji Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoriteti kontraktues dhe shoqërisë Rapiscan Security si koncesionar për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit, ishte akti i fundit i qeverisë shqiptare, të cilën e vulosi dje Kuvendi, me forcën e kartonit, por që për deputetët demokratë, nga fusha e shkencës ekonomike, kuptojnë fare mirë njollën e sapokrijuar.
Për 15 vjet, në 5 pikat doganore kryesore në vend, do të instalohen skanerë, të cilët do të bëjnë të mundur kontrollin e mallrave, më saktë të kontejnerëve. Ky shërbim do të ofrohet nga një shoqëri private, Rapiscan Security, me seli qendrore në Kaliforni (SHBA), përkundrejt tarifës prej 39 eurosh për çdo deklaratë. Në bazë të asaj çfarë thonë doganat, në vit raportohen rreth 300 mijë deklarata dhe me tarifën e vendosur në koncesion, të cilën do ta paguajë biznesi privat importues, krijohet një e ardhur prej rreth 12 milionë eurosh në vit, ose mbi 170 milionë euro për 15 vitet e ekzistencës së kontratës. Ministria e Financave thotë se nga kjo e ardhur që shkon në xhep të privatit koncesionar, vetëm 2 për qind do të derdhet në buxhetin e shtetit.
Por cilat janë arsyet e realizimit të kontratës dhe a kishte mundësi qeveria ta menaxhonte vetë si shërbim? Ministria e Financave, së bashku me autoritetet doganore, pranojnë se këtë shërbim nuk mund ta afrojnë dot, pasi kërkon investim, të cilën buxheti i shtetit nuk e përballon. Sipas ministrisë, ofrimi i këtij shërbimi të kontrollit me skaner, lehtëson biznesin, sa i takon kohës së qëndrimit në pritje, mundëson një rezultat më efikas në shmangien e evazionit, por një ruajtje të sigurisë kombëtare lidhur me importin e lëndëve të rrezikshme. Ministria pranon se këtë shërbim nuk e ofron asnjë vend i rajonit, pra qeveritë e këtyre vendeve i kryejnë vetë kontrollet dhe nuk i janë kanë kaluar privatit me koncesion, sikurse vendosi qeveria shqiptare.
Në Portin e Durrësit do të vendoset të paktën një skaner statik/fiks. Përcaktimi i vendndodhjes së skanerëve të tjerë do të përcaktohet nga autoritetet doganore bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në këto pika doganore do të skanohen 100 për qind kontejnerët dhe automjetet që transportojnë mallra, si dhe të tjera sipas kërkesës së autoritetit doganor.
Në dokument, ministria specifikon gjithashtu, se në kontratë do të përcaktohen kriteret dhe klauzolat kufizuese (si p.sh. pesha deri në 1000 kg, vlerat e vogla, p.sh. deri në 1000 euro, mënyra e transportit, p.sh. nga ajri, me kabllo, tubacione etj., regjimi ose procedura doganore, p.sh. IM 7 etj.), mbi bazën e të cilave do të shmanget pagesa për këto lloj deklaratash.
Numri i deklaratave që do të përfshihet në llogaritjen e shpërndarjes së kostos së skanimit do të bazohet në sasinë vjetore të deklaratave të regjistruara në të gjitha degët doganore, duke zbritur deklaratat për të cilat sipas kritereve/klauzolave nuk do të paguhet. Ministria përcakton në dokument se çmimi i skanimit për çdo deklaratë, është çmimi i shërbimit të skanimit në euro (pa TVSH) për një deklaratë.
Dyshimet
Dritëhijet e skanerit të kinezëve, dhuruar më 2008-n
Në dhjetor të vitit 2007, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë, nënshkroi një marrëveshje me kompaninë kineze NUCTECH, në prezencë të ambasadorit kinez, me synim instalimin e skanerit me rreze x, që bënte të mundur kontrollin e shpejtë të mallit në Doganën e Durrësit, pra portin më të madh në vend. Skaneri kushtonte 3 milionë dollarë dhe ishte dhuratë e qeverisë së Pekinit, por edhe si mundësi lobimi për kompaninë kineze, që në rast se qeveria shqiptare do të pranonte të vendoste skanerë edhe në pikat e tjera doganore, të kishte parasysh përvojën me NUCTECH. Në prill të vitit 2008, skaneri vendoset në Portin e Durrësit dhe inaugurimi realizohet nga vetë Kryeministri Berisha, i cili shprehu gëzimin e madh. Po ku ndodhet ky skaner sot? Sipas autoriteteve doganore, pajisja ka dalë jashtë shërbimi, pra ka pësuar defekt dhe shteti shqiptar nuk ka mundësi ta rregullojë. Nuk kemi mundësi ta mirëmbajmë, u shpreh dje përfaqësuesi i doganave në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Ka zëra se skaneri ka dalë qëllimisht nga funksioni, për të realizuar të tjerë objektiva.
Koncesioni, dogana i kalon privatit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email