Armo: Nesër mbyllen ofertat, në shitje 85% e aksioneve
Procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore të naftës, ARMO është transparent dhe jashtë ndikimeve politike. Kështu është shprehur zv. Ministri i Ekonomisë, Neritan Alibali pas akuzave të opozitës në lidhje me një procedurë jo të rregullt. Ai ka kerkuar nga Ambasadat dhe SHISH qe te hetojne kompanite qe do te marrin pjese ne privatizim.
“Privatizimi i ARMO-s është një interes i madh kombëtar. Duke e vlerësuar si të tillë, Ministria, është e interesuar që fituesi të jetë një kompani e fuqishme, me investime serioze, që t’i shërbejë zhvillimit të Shqipërisë dhe interesave të saj strategjike kombëtare-është shprehur Alibali. Por zv/ministri nuk ka ngurruar as të pohojë se në këtë proces janë të përfshirë edhe shërbimet sekrete shqiptare.Brace: Privatizimi jotransparent
Ministria e Ekonomisë hap nesër procedurat për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës, ARMO. Reagimi në lidhje me procesin e privatizimit ka ardhur nga Erion Brace, i cili e konsideroi si një proces jo transparent. Sipas Braces, procesi ka dyshime për vlerën e shitjes së ARMO-s, pasi vlera është llogaritur mbi bazën e të dhënave të tregut para vitit 2006, ndërkohë që sot çmimi i naftës është rritur ndjeshëm".
Në lidhje me privatizimin ka reaguar edhe deputeti, Islami i cili në një komunikatë për media theksoi se: - "vlera e shitjes së ARMO-s të jetë dy-tre herë më e vogël se çmimet e tregut të sotëm, ndërsa nga privatizimi i saj iu rrezikohet vendi i punës rreth 1700 punëtorëve, të cilët po zëvendësohen me militantë të PD-së". Vetëm në seancën plenare të një dite më parë, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli sqaroi se "reforma në kompaninë "Armo" dhe "Alpetrol", po bëhet jo në bazë të kritereve politike.
Shpresa te privatizimet
Përfaqësues të qeverisë pranuan dje për herë të parë se qeveria do të ulë deficitin buxhetor nga 7.9 në 5.2% të PBB-së, duke respektuar në këtë mënyrë marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Zv/ministri i Financave, z.Florion Mima deklaroi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se “ulja e deficitit është e mundur dhe se ajo do të bëhet brenda pak muajsh”. Njoftimi i parë i qeverisë qe “ulja e deficitit në 5.2% të PBB-së”, pa dhënë sqarime të hollësishme.
Kryeministri dhe ministri i Financave nuk kanë sqaruar ende se çfarë nënkupton kjo ulje deficiti, por janë mjaftuar duke thënë se në përgjithësi, “shpenzimet do të mbulohen nga tejkalimi i të ardhurave tatimore”.
Llogaritë e buxhetit të kryera në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto nuk kanë lidhje me nivelin e të ardhurave tatimore. Ulja e deficitit nga 79. në 5.2% të PBB-së përbën asgjë tjetër, veçse ulje të shpenzimeve me 242 milionë euro pavarësisht të ardhurave tatimore.
KrizaKriza aktuale e financave publike po krahasohet gjithnjë e më shumë me krizën e likuiditetit të vitit 2001-2002. Në atë kohë, qeveria planifikoi shpenzime të bollshme në pritje të të ardhurave nga privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe Albtelecom-it.
Kur të dyja privatizimet dështuan, qeveria u gjend në kushtet kur duhej të ulte menjëherë shpenzimet në shkallë të gjerë, ndërkohë që kishte nevojë për financime urgjente për blerje energjie elektrike nga importi. Sot, situata është më ndryshe.
Qeveria nuk ka mungesë të ardhurash, pasi të ardhurat janë tejkaluar, por realizimi i planit të fillimvitit për shpenzime prej rreth 3 miliardë eurosh, rrezikon të rrisë importet e të shtojë deficitin e llogarisë korrente, duke vënë në dyshim stabilitetin e kursit të këmbimit dhe të gjithë stabilitetin ekonomik të vendit.
Në të njëjtën kohë, qeveria ka shpenzime të paplanifikuara shtesë për rrugën Durrës-Kukës dhe për financimin e KESH. Në këto kushte, ulja e shpenzimeve buxhetore me 242 milionë euro, siç është rënë dakord me FMN-në, kërkon sakrifikim të pothuajse të gjitha projekteve të investimeve me fonde të brendshme.
Shkurtimet te TransportetNga totali i Buxhetit të Shtetit, shpenzimet më të mundshme janë te fondi i investimeve prej 880 milionë eurosh dhe nga të gjitha këto investime, shumica dërrmuese i përkasin Ministrisë së Transporteve. Nga 610 milionë euro që është buxheti i Ministrisë së Transporteve, investimet e huaja nuk mund të shkurtohen, ndërsa investimet e brendshme prej 175 milionë eurosh, janë të pamjaftueshme për të ulur deficitin deri në 5.2% e PBB-së. Ekspertët e financave publike bëjnë të qartë se ulja e shpenzimeve në këto përmasa përbën një sprovë force për qeverinë. Aktualisht, ka shumë pak gjëra ku mund të kursehet.
Shirita, në vend të transparencësSi në vitin 2002, ashtu edhe sot, qeveritë po e trajtojnë problemin e shkurtimeve të buxhetit pa minimumin e transparencës. Përkundrazi, prerja e shiritave dhe fjalë të hedhura kalimthi, po përpiqen të fshehin krizën reale në të cilën gjendet vendi. Për më tepër, populizmi në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, përbën një rrezik real për financat publike.