Kinezët e Shqipërisë japin 19 mijë dollarë për tërmetin
Kinezët që banojnë në Shqipëri dhe që kanë aktivitete të ndryshme ekonomike në tregti dhe shërbime, kanë grumbulluar një sasi parash prej 19 mijë dollarësh për të ndihmuar rajonin e Kinës Jug-Perëndimore që u godit nga një tërmet i tmerrshëm. “Ne nuk mundëm të grumbullonim më shumë, por dëshirojmë që të dërgojmë së paku një tullë për të ndihmuar në përpjekjet për rindërtim”,- deklaroi Ye Sanghua, njëri prej tyre, i cituar nga agjencia kineze e lajmeve “Xinhua”. Më herët, qeveria shqiptare dërgoi një ndihmë prej 40 mijë dollarësh në ndihmë të popullatës së dërrmuar nga tragjedia, së bashku me një letër ngushëllimi. Tërmeti që ra në Kinë, të hënën e kaluar, ishte me magnitudë 8.0 gradë të shkallës Righter. Deri tani, rreth 32 mijë njerëz janë gjetur të vdekur, ndërsa autoritetet mendojnë se numri mund të jetë edhe më i lartë. Një komunitet i vogël kinezësh është vendosur në Shqipëri pas viteve ’90. Ata merren përgjithësisht me tregti, kanë hapur disa restorante, ndërsa disa qindra prej tyre punojnë si punëtorë të kualifikuar dhe inxhinierë në ndërtimin e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë.