Arnaudov: Ja pse shkëmbimet tregtare bullgare pësuan rënie në Shqipëri
INTERVISTA – Dimitar Arnaudov, ambasador i Bullgarisë në Tiranë
Dimitar Arnaudov, ambasador i Bullgarisë në Tiranë, në një intervistë për gazetarin Elton Metaj në emisionin Elite Business, flet për marrëdhëniet tregtare Bullgari-Shqipëri. Ai shpjegon edhe pse Bullgaria ka pësuar një rënie në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Ai flet dhe për planet e përbashkëta ekomomike mes dy vendeve, si edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Si i vlerësoni marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Bullgarisë?
Unë jam optimist për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve. Në radhë të parë është me rëndësi të mbahet mend të aspektin historik se në vitet 1991-1996, Bullgaria ishte partneri numër 1 për Shqipërinë në sferën tregtare. Në këto vite u vendos tradita që të importohen mallra ushqimore nga Bullgaria për në Shqipëri. Është për mua një nder dhe më sjell kënaqësi se në historinë e re mes dy shteteve ka një moment që mbahet mend se Bullgaria i ka zgjatur dorën Shqipërisë në një moment të vështirë. Gjatë viteve të fundit ambiciet tona janë të rikthejmë, jo vendin e parë që është i pamundur, por të kalojmë dy pozicione më përpara, pasi të statistikave të sotme ne jemi ndoshta në vendin e 7 apo 8 në listën e shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me vendet e tjerë.
Pse ndodhi kjo rënie e Bullgarisë në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë?
Në Shqipëri vihej re një synim për të dalë nga situata e vështirë ku ndodhej, pas kalimit nga një sistem në një tjetër, dhe ndoshta në këtë moment Bullgaria ishte tregu më i përshtatshëm që u përgjigjej mundësive të biznesmenëve shqiptarë për të ardhur në Bullgari dhe për të blerë produkte të dorës së parë. Gjatë viteve, niveli i jetesës në Shqipëri filloi të përmirësohej dhe kërkesat e konsumatorëve shqiptarë u ngritën dhe filluan të dalloheshin shumë nga ato që ishin në fillim. Në këtë mënyrë filluan të kërkohen mallra me një cilësi më të lartë dhe produkte më konkurrente, gjë për të cilën nuk arritëm tu përgjigjemi kërkesave.
Cili është vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve?
Vëllimi është modest. Për vitin 2011, shkëmbimet tregtare ishin rreth 95 milionë dollar. Për fat të keq tani vihet re tendenca e uljes me afërsisht 4 %. Unë e shpjegoj këtë fakt me krizën ekonomike, që ekziston në të dy vendet. Me marrëveshjen e re i kemi hapur dyert për një biznes të suksesshëm.
Cili është numri i kompanive bullgare që veprojnë aktualisht në Shqipëri?
Deri në tetor 2012, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve mbështeteshin mbi një marrëveshje të vitit 1994. Vitin e kaluar, më 23 tetor, ne nënshkruam marrëveshjen e re për bashkëpunimin ekonomik, gjatë vizitës së kryeministrit bullgar në Tiranë. Ishte një vizitë e suksesshme, sepse u nënshkruan tre marrëveshje dhe një memorandum për bashkëpunim midis kryeqyteteve. U zhvillua gjithashtu një forum biznesi shumë i suksesshëm, në të cilin morën pjesë 200 sipërmarrës. Ka shumë shtete të tjerë që kanë zënë vendet e para dhe ne kemi dëshirë të rikthejmë pozicionet tona.
A ka sektorë të veçantë të ekonomisë të piketuar për investimet bullgare apo lidhjet janë direkte mes sipërmarrjeve?
Ne kemi fusha të caktuara për të cilat shfaqim interes dhe ky është i dyanshëm. Në vendin e parë është industria ushqimore. Pas kësaj, industria kimike, farmaceutika, furnizimi i materialeve të ndërtimit dhe më në veçanti investimi në fushën e ndërtimit të rrugëve, duke patur parasysh edhe prioritetet e Shqipërisë për të zhvilluar infrastrukturën e saj. Një sferë të re për të cilën kemi interes është bitumi shqiptar.
Kryeministri bullgar ka premtuar në vizitën e fundit se vendi juaj ka mundësi të blejë tërësisht bitumin që prodhon Shqipëria. A do ta blini të gjithë bitumin që prodhohet në Shqipëri?
Kjo varet nga specialistët në këtë sferë. Para një muaji u nënshkrua një marrëveshje mes ndërtuesve për marrjen e 22 ton bitum nga Vlora, që do të testohet në laboratorë për kushtet klimatike të vendit, nëse është i përshtatshëm për tiu përgjigjur specifikave bullgare. Në rast se u përgjigjet këtyre kritereve, natyrisht se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen me blerjen e bitumit. Në Bullgari ka një program ambicioz për përsosjen e infrastrukturës së rrugëve, kështu që bitumi i importuar do të provohet dhe fjalët e kryeministrit do të realizohen.
Vite më parë thuhej që me bitumin e Shqipërisë janë shtruar rrugët e Parisit. Do të mund ta shikojmë bitumin shqiptar edhe në rrugët e Sofjes?
Kjo është një çështje e specialistëve. Roli i ambasadës është të lehtësojë kontaktet, që do të kontriubojnë në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve. Pas Forumit të Biznesit gjatë vitit të shkuar kemi shumë kërkesa për këtë temë.
Cili është vlerësimi që Bullgaria ka për Shqipërinë? Si shikohet Shqipëria nga investitorët bullgarë?
Në Shqipëri ka klimë të favorshme për të investuar. Kjo klimë, në varësi të interesave të biznesit, mund të përdoret në shkallë të gjerë dhe të kapërcehen disa pengesa që nuk janë në përputhje me rregullat bashkëkohore të zhvillimit të biznesit. Kjo u konfirmua edhe nga vizita pak javë më parë e Dhomës së Ndërtuesve të Bullgarisë, të cilët panë kushtet në Shqipëri dhe realizuan disa marrëveshje. Ka biznesmenë që dëshirojnë të vendosin kontakte dhe të bëjnë biznes këtu.
Përmendët pak më parë pengesat e mundshme për të investuar në Shqipëri. Cilat janë pengesat kryesore që sipërmarrësit bullgarë kanë për të ardhur në Shqipëri?
Në vend të parë është se, ende vazhdon një praktikë e keqe biznesi, sipas rregullave nga e kaluara, jo në përputhje me standardet europiane. Ende vazhdojnë që pagesat të bëhen në cash, që nuk është normale. Kjo krijon përshtypjen për investitorët se nuk ka transparencë. Gjithashtu nuk ka njohuri të mjaftueshme për kushtet e importit dhe eksportit në tregjet e të dy vendeve. Ndaj duhet të vendosen më shumë kontakte. Një pengesë tjetër është praktika e vendosur dikur për të dhënë fatura jo me vlerën reale të mallit që importohet apo eksportohet. Kjo është një e metë që duhet të korrigjohet, pasi krijohet përshtypja se biznesi bën marrëveshje jo të ndershme. Nuk ka ndonjë pengesë kardinale. Ka edhe pengesa objektive. Në rradhë të parë mungesa e një infrastrukture modern. Gjithashtu nuk ka linjë ajrore direkte dhe lidhje hekurudhore.
Pse nuk ka një linjë ajrore direkte? Është një çështje biznesi e një kompanie të caktuar apo ka pengesa ndërshtetërore?
Në rast se flasim për një linjën ajrore, shkaku nuk është shteti. Shkak është se nuk ka një trafik të tillë, nuk ka aq udhëtarë dhe vetë operatorët e kanë vlerësuar se nuk është e leverdisshme mbajtjen e kësaj linje ajrore. Janë menduar projekte, janë menduar të bëhen edhe fluturime çarter apo tranzit. Për linjën hekurudhore jemi shumë të interesuar, sepse flasim për këtë prej shumë vjetësh për linjën Durrës-Shkup-Sofje, si pjesë e Korridorit 8.
Bëhet fjalë për pak kilometër që duhet të lidhin Shqipërinë me Maqedoninë apo ka pengesë tjetër?
Këtë kam parasysh. Disa kilometër që kanë mbetur deri te kufiri maqedon. Me sa di, Shqipëria e ka bërë pjesën e saj. Kur ndodhej në Tiranë, kryeministri Borisov tha se ideja nuk ishte për të bërë një linjë të thjeshtë hekurudhore, por një linjë europiane me shpejtësi të lartë, në mënyrë që nga Sofja në Tiranë të udhëtohet për 2 orë e gjysmë ose 3, në vend që të udhëtohet me makinë për 8 orë. Kjo i dekurajon biznesmenët, pasi udhëtimi deri në Bullgari kërkon një ditë.
A ndjeni pengesa për sa i përket krimit, korrupsionit apo pronësisë së tokës?