E Diel, 1 Nëntor 2026

“Aromë Hungarie” vjen në Korçë ekspozita e fotografit Roland Tasho

Fotografi i njohur Roland Tasho ka sjellë në Korçë një ekspozitë lëvizëse të titulluar Aromë Hungarie. Janë rreth 40 fotografi të cilat janë realizuar në Hungari duke nxjerrë në pah bukuritë dhe identitetin kulturor të Budapestit por edhe të zonave të tjera në këtë shtet, përmes objektivit artistik të autorit.

“Një pjesë janë bukuritë e Budapestit, një pjesë janë diplomatët, dhe një pjesë e vogël janë dhe shqiptarët që jetojnë atje. Prezentë është dhe Korça në këtë ekspozitë”, u shpreh Roland Tasho, fototgraf.

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Ambasadës Hungareze dhe Bashkisë Korçë duke shënuar një moment të veçantë në kalendarin kulturor të qytetit.

“Roland Tasho është një mik i Hungarisë dhe një fotograf i madh shqiptar. Kjo është ekspozita e dytë që ne po organizojmë në vendin tuaj dhe shënon një bashkëpunim domethenës mes dy vendeve. Rolandi përpiqet të na shpjegojë ne sesi shqiptarët jetojnë në Hungari dhe si hungarezët jetojnë në Shqipëri, ndërsa mundohet edhe të ndërtojë ura mes dy vendeve”, Martina Kasnyik, Ambasadore e Hungarisë në Shqipëri.

Fotografi Roland Tasho prej 42 vitesh ka nisur rrugëtimin e tij fotografik duke realizuar rreth 100 ekspozita të çelura në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai ka botuar 16 libra fotografikë dhe ka fituar 7 çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Gazetare: K. Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›