E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratiset një tjetër i burgosur. FRD: Të ndalohet dhënia e lejeve deri pas zgjedhjeve

burgu-i-peqinitNjë tjetër i dënuar është arratisur nga Burgu i Peqinit, pasi kishte marrë leje për të vizituar të afërmit.

I dënuari me 10 vite burg, Romeo Rustemaj nuk është kthyer pas kryerjes së lejes shpërblyese.

Menjëherë është pezulluar nga detyra drejtori i burgut, Sajmir Salla, ndërsa kjo është ngjarja e dytë e tillë brenda pak ditëve.

Megjithatë opinioni publik, i tronditur nga këto ngjarje, ka nisur të dyshojë se lirimi i të burgosurve në këto ditë ka lidhje me fushatën zgjedhore.

Rëndom në fushatat e shkuara pushteti është akuzuar se ka përdorur të burgosurit e rrezikshëm për të bërë fushatë, për të frikësuar votuesit dhe për të manipuluar votat.

Me këto dyshime në mendje, Fryma e Re Demokratike ka kërkuar që të pezullohet dhënia e lejeve për të burgosurit deri pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

Për hir të së vërtetës, gjatë gjithë këtyre viteve, me gjithë rekomandimet e Bashkimit Europian për ta kthyer shërbimin penitenciar në një shërbim të mirëfilltë të nëpunësisë civile, është për të ardhur keq që ende sot drejtuesit e institucioneve të burgjeve dhe paraburgimeve janë të emëruar  politikisht në bazë të bindjeve partiake. Kjo situatë ka shkaktuar shpesh deformimin e rolit të këtyre drejtuesve, të cilët ne jo pak raste me anë të lejeve abuzive ndaj të dënuarve dhe propagandës partiake brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit, kanë kryer në kundërshtim me ligjin disa detyrime partiake të dënueshme.

Fryma e re Demokratike denoncon publikisht praktikat e fundit të lejeve që po ju jepen të dënuarve dhe nuk e konsideron të rastësishëm shkeljen e këtyre lejeve nga ana e këtyre të fundit. Ne nuk dëshirojmë të besojmë se këto lejë janë pjesë e skenarëve për të përfshirë në fushatën elektorale elemente të rrezikshëm për sigurinë publike, duke intimiduar votuesit, por kërkojmë që në zbatim të legjislacionit në fuqi, procedurat e lejeve të pezullohen deri pas përfundimit të fushatës elektorale.

Me anë të këtij denoncimi kërkohet në radhë të parë nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Drejtësisë, që të garantohet me çdo kusht siguria publike dhe mbarëvajtja e qetë e zgjedhjeve, si një detyrim dhe përgjegjësi ligjore që nuk duhet të anashkalohet në asnjë rast. E kundërta do të vërtetojë se këto zgjedhje po kërcënohen seriozisht jo vetëm nga skema të dyshimta dublimesh të listave apo votuesish pa adresë, por së fundi edhe nga kontigjentët kriminale me imunitet shtetëror, tha Urim Qinami, drejtues i Departamentit për Çështjet e Sigurisë në FRD./ep

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›