Vlorë, prangoset ish- shefi i rrugores së Fierit
Mustafa Mustafarai ishte dënua me 2 vite heqje lirie për mitmarrje dhe korrupsion pasiv
Vlorë-Policia e Vlorës ka prangosur dje ish- shefin e policisë së qarkullimit rrugor në Fier. Sipas burimeve zyrtare të policisë, arrestimi i Mustafa Mustafarait është bërë dje rreth orës 12.00. Mustafarai, 52-vjeç, u arrestua në bazë të një urdhri të nxjerrë nga gjykata e Fierit. "Pas një pune shumë të organizuar nga specialistë të sektorit kundër krimit ekonomik pranë drejtorisë së policisë qarku Vlorë, është bërë e mundur arrestimi i 52-vjeçarit në banesën e tij"- thanë burimet policore, duke shtuar se i ndaluari është lindur dhe banues në qytetin e Vlorës. Ndërkohë që një kohë të gjatë ka punuar si shef i policisë rrugore në Fier. Pikërisht me punën që ka bërë ai në këtë kohë ka lidhje dhe arrestimi i djeshëm. Sipas policisë, për këtë shtetas gjykata e Fierit e ka dënuar me 2 vjet heqje lirie për akuzën e mitmarrjes dhe korrupsionit pasiv. Pasmbarimit të çështjes në ngarkim të tij, në gjykatën e Fierit, ajo ka dhënë vendimin për dënimin e sipërpërmendur. "Dënimi u dha pasi atij i është vërtetuar akuza që prokuroria kishte ngritur ndaj tij, atë të korrupsionit pasiv në detyrë"- theksojnë burimet. Vendimi mësohet se është dhënë në shtator të vitit 2007, kohë kur ai është shpallur fajtor në mungesë dhe për akuzën e provuar do të duhet të vuajë 2 vitet e heqjes së lirisë. Pas arrestimit në banesën e tij, ai u shoqërua nga blutë në komisariatin e fierit për të vijuar më pas me zbatimin e vendimit të gjykatës.