E Diel, 1 Nëntor 2026

Arratisja e Ndocit/ Arrestohet Indrit Cërloj, dy ditë pasi u shkarkua nga drejtimi i burgut të Durrësit

Një ditë pasi u shkarkua nga drejtimi i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj është vënë sot në pranga.

Arrestimi lidhet me arratisjen e të paraburgosurit me rrezikshmëri të lartë shoqërore Altin Ndoci, që edhe sot vazhdon të mos dihet se ku ndodhet.

Po ashtu, është arrestuar edhe Ylfete Sema, Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor, ndaj të cilës është dhënë masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Njoftimi i Policisë:

“Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga ish-drejtori i IEVP Durrës.

Ekzekutohet masa e sigurisë edhe për doktoreshën e IEVP Durrës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit I. C., 48 vjeç, banues në Durrës, ish-drejtor i IEVP Durrës.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 19/1, datë 15.01.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjithashtu, me të njëjtin vendim, kjo gjykatë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasen Y. S., 66 vjeçe, banuese në Durrës, doktoreshë në IEVP Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”.

Cërloj ishte emëruar në krye të Burgut Durrës në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa pas arratisjes së Ndocit, mesditën e së martës, erdhi edhe shkarkimi i zinxhirit komandues të IEVP Durrës”.

Konkretisht:

• Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

• Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

• Aulon Quku – Kryeinfermier;

• Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

• Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Altin Ndoci, emër i njohur për drejtësinë, u arratis tre ditë më parë nga spitali i Durrësit ku ishte dërguar për të kryer një ekzaminim shëndetësor.

Shoqërimi u bë me ambulancën e burgut jashtë standardeve të sigurisë, madje edhe pa pranga në duar.

Pasi ka goditur 2 policët që e shoqëronin ai arriti të dilte jashtë Spitalit të Durrësit, aty ku e priste një automjet tip “Audi A7”,  me të cilin është larguar në drejtim të paditur.

Prej vitit 2020 Ndoci ndodhej i izoluar në qendrën e paraburgimit të Durrësit, i akuzuar për disa vepra të rënda penale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›