Arratisje hollivudiane e të burgosurit shqiptar
I ngjan një skene Holliwood ngjarja e ditës së djeshme në një spital në Greqi ku një i dënuar shqiptar është arratisur në mënyrë spektakolare, nga dhoma e spitalit ku qëndronte për tu kuruar pas një zënke me disa të burgosur të tjerë. Fillimisht mendohet se mendohet se e kanë rrëmbyer dy persona ende të paidentifikuar por kur gjithçka u qartësua policia zbardhi se kur 40-vjeçari po dërgohej për kurim me ambulancën e burgut dy persona të cilët mbanin në duar Kallashnikovë, kërcënuan gardianët dhe nën të shtënat e armëve morën me forcë të dënuarin. Arratisja e të burgosurit ka ndodhur në mëngjes, me ndihmën e dy personave të tjerë, ndërkohë që ai dërgohej në spitalin e Nafplios. 40-vjeçari shqiptar i burgosur, po transportohej në spital për të ndërruar disa plagë. Me sa duket kjo lëvizje e tij ishte e njohur dhe pikërisht në orën 11:00, dy persona me armë sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit gjyqësorë të të burgosurit. Ndërsa hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë një nga pistat është se dy personat mund të kenë qenë edhe shokët e shqiptarit të arratisur.
Ngjarja
Sipas policisë nga dëshmitë e marra dy personat qëlluan në ajër për të frikësuar oficerët e burgut dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë, tip AUDI me të cilën u larguan. Nuk dihet nëse personat që morën të dënuarin ishin bashkëpunëtorë, apo armiq të tij dhe as nëse kemi të bëjmë me një plan të kujdesshëm arratisjeje, apo një rrëmbim të të dënuarit. Kjo ngjarje e denjë për një skenar filmi cilësohet si arratisja e dytë më e bujshme nga burgjet e Greqisë dhe me protagonist një shqiptar, që pason atë të Alket Rizait kohë më parë.
Precedenti
Shqiptari është identifikuar nga mediat greke si Tetredi Alkibiadi, por mendohet se ky mund të jetë pseudonimi apo emri i dytë i tij, ndërsa ishte dënuar me 20 vite burgim për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe grabitje, ndërsa është 40 vjeç. Policia greke deklaroi se nuk dihet ende nëse është një arratisje e organizuar apo një rrëmbim i të burgosurit nga rivalët e tij. Sipas policisë, ende nuk është e qartë nëse rasti konsiderohet arratisje apo pengmarrje, pasi sipas gardianëve 40-vjeçari u mor me dhunë nga personat e panjohur. Autorët dhe i burgosuri u larguan me një mjet tip Audi nga vendngjarja.