Arresohet 31-vjeçari, dhunoi dhe mbajti peng për 1 javë bashkëjetuesen

Policia ka vendosur në pranga një 31-vjeçar i cili ka mbajtur peng për një javë bashkëjetuesen e tij duke e dhunuar vazhdimisht me sende të forta.
Gjithashtu, në pranga kanë rënë edhe katër persona të tjerë që nuk kanë kallëzuar krimin duke përkrahur autorin e krimit dhe kanë kryer veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës.
“Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:
– G. G., 31 vjeç, B. N., 36 vjeç, A. Sh., 41 vjeç, B. K., 27 vjeç, E. K., 42 vjeç, të pestë banues në Tiranë.
Shtetasi G. G. i ka hequr lirinë për një javë, bashkëjetueses së tij, të cilën e ka dhunuar vazhdimisht, me sende të forta, në banesë, në rrugën “Frosina Plaku”.
Shtetasit B. N. dhe A. Sh. nuk kanë kallëzuar krimin dhe kanë penguar zbulimin e së vërtetës duke tentuar të fshehin provat, ndërsa shtetasit B. K. dhe E. K., (vëllezër), kanë përkrahur autorin e krimit, duke e larguar atë nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se janë sekuestruar edhe mjete për konsumimin e lëndëve narkotike dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë, që u gjetën në banesën e 31-vjeçarit si dhe sende të forta me të cilat dyshohet se ai ka dhunuar 28-vjeçaren.
/rtsh.al/