Festa e Pashkës/ Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë ngjalljen e Krishtit

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtuan në mesnatë ngjalljen e Krishtit dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.
Korçë
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë është mbajtur mesha e shenjtë e Pashkës. Besimtarë të shumtë ndoqën nga afër meshën e drejtuar nga Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij Imzot Joan Pelushi, i cili në mesazhin e tij theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket së mirës dhe jo të keqes.
Berat
Për të gjithë besimtarët ortodoksë në qytetin e Beratit, mesnata solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për botën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia.
Mesnata kulmoi në sheshin qendror ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit
Fier
Në mesnatë qindra besimtarë ortodoks kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit në kishën e “Shën Gjergjit“ nga Metropoliti At Nikolla . Qindra besimtarë janë afruar dhe kanë marrë flakën e shenjtë që simbolizon dritën dhe që sipas traditës çdo besimtar e merr atë në familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë.
Lushnje
Në Lushnje, mesha e ngjalljes së Krishtit u zhvillua në kishën e “Shën Gjergjit“, nën drejtimin e At, Arkip Koçit. Qytetarë të shumtë janë grumbulluar para oborrit të kishës ku kanë ndezur qirinj dhe thyer vezët e kuqe.
Gjirokastër
Në katedrale “Ngjallja e Krishtit“, Mitropoliti i Gjirokastrës Hirësi Dhimitri ka mbajtur meshën hyjnore që i dedikohet ringjalljes së Krishtit. Me qirinjtë e lutjes në duar, besimtarët kanë kremtuar festën me urimet për Pashkë sa më të bekuara
Vlorë
Besimtarët ortodoks festuan Pashkët në kishën “Shën Theodhori“ në Vlorë. Mesazhi i kësaj dite të madhe tregon fitoren e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen. At konstandin Prifti ka uruar gëzuar pashkët.
Elbasan
Qindra besimtarë në Elbasan ju bashkuan meshës së shenjtë të vigjiljes së kësaj feste, e cila u mbajt në kishën e “Shën Kollit”. Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Shkodër
Edhe në kishën ortodokse “Lindja e Krishtit” në Shkodër është kremtuar mesha e shenjtë e pashkëve që u drejtua nga famullitari i kishës ortodokse At Nikolla Petani. Besimtarët Ortodoksë kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi.
Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit. Vezët janë simbol i lindjes se jetës nga guaçka e vdekjes. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit.
Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.
Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.
Urimi Gëzuar Pashkët Krishti u ngjall bashkon të gjithë besimtarët në këtë qytet ndërsa ky urim shkon edhe për të gjitha besimet e tjera .
Pashka është kremtimi i ringjalljes së Jezusit, e cila festohet tri ditë pas vdekjes së tij në kryq.
Mesnata, që shënoi edhe ringjalljen e Krishtit, kulmoi në sheshin, jashtë kishës ortodokse “Lindja e Krishtit’ ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.
Pashkët simbolizojnë edhe thelbin e krishtërimit, Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.
Pashkët simbolizojnë ngjalljen e Jezu Krishtit tre ditë pas kryqëzimit dhe janë festa kryesore e besimit të krishterë. Flaka e shenjtë është simboli i fitores mbi vdekjen dhe besimtarët i mbajnë të ndezur qirinjtë gjatë gjithë natës së Pashkës.
Pas meshës besimtarët kryen edhe ceremoninë e thyerjes së vezët së pashkëve.
Kur kujtojmë Pashkën, nuk mund të veçojmë vezët e kuqe, e cila simbolizon jetën ndërsa ngjyra e kuqe sakrificën e birit të perëndisë, Krishtit, i cili u kryqëzua për shpëtimin e të gjithë njerëzimit.
Gazetare: Heriselda Dyrmishi
/rtsh/