Arresti me burg për Veliajn, Ndreca: Është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në zgjedhje

TIRANË, 12 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca deklaroi sot se vendimi për dhënien e masës “Arrest me burg” për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndikon drejtpërdrejt në procesin e zgjedhjeve të 11 majit.
I ftuar në një studio televizive, Ndreca tha se së pari, ky vendim bazohet mbi dyshimin e prokurorit.
Sipas tij, ka masa të tjera të zbatueshme si “Detyrim paraqitje” apo “Ndalim dalje jashtë shtetit” dhe nuk mund të merret vendimi për “Arrest me burg” bazuar vetëm mbi dyshime.
“Është kryetari i bashkisë, organ monokratik, nuk zëvendësohet vetëm kur të bëhen zgjedhje të tjera. Ndërkohë jemi në kuadrin e dyshimeve gjatë gjithë kohës. Një dyshim i prokurorit bën të mundur të shfuqizohet zgjedhja e kryetarit të bashkisë. Kushtetuta e thotë kur merret vendim, jo me dyshime. Me dyshime ai po mban në burg kryeqytetarin e Tiranës. Mund t’i jepej ‘Detyrim paraqitje’, apo ‘Ndalim dalje jashtë shtetit'”, tha Ndreca.
Sipas tij, “nuk duhet t’i mohohet Tiranës të ketë drejtues, pasi dëmi që i bëhet qytetit është shumë i madh”.
“Është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në zgjedhje. A e ka bërë me qëllim nuk di ta them, por kjo vendimmarrje ndikon drejtpërdrejt në zgjedhje”, tha ai.
Ndërkohë, Ndreca theksoi se “dallimi midis nesh dhe Berishës është se ai shikon grup të strukturuar kriminal dhe armik te SPAK-u, ndërsa ne e shohim si partner për të bërë shtet”.
/r.e/a.f/