“Erion Veliaj nuk vesh fustane”, Rama kërkon prova: Nëse ka 800 mijë euro blerje bizhu dhe rroba s’kemi çfarë diskutojmë

Kryeministri i vendit Edi Rama kërkon prova pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, më 10 shkurt. Në dosjen voluminoze ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, SPAK thotë se kjo e fundit ka bërë mbi 800 mijë euro blerje online për bizhuteri dhe rroba.
Kreu i qeverisë, i pranishëm në dëgjesën e Grupit Parlamentar me kërkesë të kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, tha se duhet të ketë prova. Në momentin që ka prova, nuk ka më çfarë të diskutohet.
Rama: Të tregojnë ka prova apo s’ka prova. Sepse të thuash “blerje online 800 mijë euo për bizhu dhe për fustane” ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustane dhe nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në një dhomë paraburgimi duhet të tregosh fustanet dhe bizhutë, provat. Nuk kemi më ne as çfarë diskutojmë, as çfarë vëmë në dyshim. Provat! Është shumë e thjeshtë dhe prandaj i kërkoj mediave të bëjnë hulumtim për prova, në atë roman 400 faqë nuk ka prova. Ka vetëm një tregim shumë të ngarkuar dhe ndërlikuar, shkak-pasojë por nuk ka prova./vizionplus.tv