Arrestimet për “sterilizimin”, Basha: SPAK t’i shkojë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me arrestimet e kryera për koncesionin e sterilizimit. Në një postim në Facebook, Basha shkruan se koncesionet në shëndetësi, sipas tij, janë vepra korruptive të qeverisë, të cilat janë denoncuar edhe më parë nga PD.
Sipas Bashës, për vite me radhë është abuzuar me fondet në shëndetësi, që nuk janë vënë në shërbim të pacientëve, por “të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre”.
Teksa përshëndet hetimet e SPAK, Basha kërkon që të vijojë puna edhe për evidentimin e zyrtarëve të tjerë përgjegjës.
“Koncesionet në shëndetësi janë vepra korruptive të qeverisë Rama, të cilat janë denoncuar publikisht dhe janë kallëzuar penalisht në SPAK nga Partia Demokratike. Për vite me radhë paratë e shqiptarëve nuk janë vendosur në shërbim të pacientëve, por të politikanëve të korruptuar dhe klientëve të tyre. Kjo lojë e paskrupullt me shëndetin e njerëzve, është dëshmi e makutërisë primitive të kësaj qeverie, e cila duhet hetuar në thellësi, duke shkuar deri tek burimi i kësaj skeme korruptive dhe rrënuese për interesin publik, e cila nuk u ndal as gjatë kohës së vështirë të pandemisë. Përshëndes veprimet hetimore të SPAK dhe e inkurajoj t’i shkojnë deri në fund zinxhirit të përgjegjësive që kanë shkaktuar dëme të parikuperueshme për qytetarët shqiptarë, të cilët presin dhe meritojnë drejtësi!” shkruan Basha.
Gjykata e Posaçme lëshoi këtë të enjte (17 gusht) 8 urdhërarreste në lidhje me koncesionin e sterilizimit. U arrestuan ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi tenderin.
Ndërkohë janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” Saimir Kadiu, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike. Detyrim paraqitje është caktuar për Shefin e Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të cilët akuzohen për “Falsifikim dhe shpërdorim detyre”.
/rtsh.al/