“Beleri”/ Meta: I burgosur politik. Bylykbashi: Të lirohet menjëherë, asnjë ligj nuk e ndalon të betohet si kryebashkiak

Opozita ka kërkuar lirimin e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, duke e konsideruar arrestimin e tij si politik. Në një deklaratë për mediat, i pyetur në lidhje me këtë çështje, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh se ai po mbahet në burg pa prova, duke akuzuar se qëllimi është që t’i pamundësohet betimi.
“Kam një qëndrim shumë të qartë lidhur me rastin Beleri, i cili është një i burgosur politik, personalisht i kryeministrit. Rasti Beleri është rasti i shembjes së shtetit të së drejtës në vendin tonë. Ai është arrestuar në mënyrë flagrante sa i takon të drejtave të njeriut dhe qëllimi ka qenë një dhe vetëm një, bllokimi i tij fizik me qëllim humbjen e bashkisë së Himarës. Qëndrimi që mbahet ndaj tij është një demonstrim i mos ekzistencës së shtetit ligjor dhe juridik i vendit tonë. E gjitha kjo bëhet për t’i pamundësuar betimin”, tha Meta.
Edhe deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Belerit dhe betimin e tij si kryebashkiak i Himarës. Në një deklaratë për mediat, Bylykbashi akuzon Ramën për mbajtjen peng të detyrës së Belerit pasi sipas tij asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit në detyrën e marrë.
“Është parim themelor i OSBE-së që një i zgjedhur duhet të fillojë ushtrimin e detyrës pa asnjë vonesë. Fredi Beleri e ka marrë mandatin nga KQZ. Asnjë ligj në Shqipëri nuk pengon betimin e Fredi Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës edhe duke qenë i pandehur në paraburgim. Me Kushtetutë, ai është i pafajshëm dhe gëzon të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore. Betimin e tij e pengon pa ligj apo më mirë të themi me ligjin e mafies, vetë kryeministri Edi Rama”.
Sot Fredi Beleri është i burgosur politik dhe mbahet në paraburgim në kundërshtim me kriteret e ligjit për arrestimin si masë sigurie penale. Shteti i Edi Ramës ka në dorë Kodin Penal, por Fredi Beleri, si çdo shtetas shqiptar, ka në dorë Kushtetutën e Shqipërisë, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Kodin e Procedurës Penale”, tha Bylykbashi.
/rtsh.al/