Arrestimi i Mlladiç, triumf i drejtësisë ndërkombëtare

Arrestimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, që akuzohet për masakrën e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 000 persona myslimanë është përshëndetur edhe nga kryeministri shqiptar Sali Berisha.
Nëpërmjet një deklarate për shtyp kreu i qeverisë shqiptare, e ka cilësuar arrestimin e Mlladiç, si triumfin e drejtësisë ndërkombëtare dhe ngushëllim për shpirtrat e mijëra viktimave të pafajshme dhe familjeve të tyre. Ai e ka cilësuar Mlladiç si njërin prej figurave me gjakësore më famëzeza në historinë e Ballkanit dhe të Europës dhe si përgjegjësin kryesor dhe direkt për genocidin dhe barbarinë serbe në Bosnje në tërësi dhe në Srebenicë në veçanti, ku organizoi shfarosjen në pak ditë të 8000 mijë fëmijëve burrave dhe grave të pafajshme.
Ratko Mlladiç kërkohej prej 16 vitesh për genocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnje dhe Hercegovinë, nga Tribunali i Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.