Arrestimi i Sekretares së Përgjithshme të MSH, Bardhi nga Kuvendi: Ministrja të japë dorëheqjen! Manastirliu: Përgjegjësia, individuale

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar qeverinë për korrupsion, ndërsa u ndal në arrestimin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë. Bardhi kërkoi dorëheqjen e Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke e konsideruar si distancim ndaj ngjarjes.
“Zonja Ministre e Shëndetësisë, si ka mundësi që heshtët për skandalin në ministrinë tuaj? Duke mos u distancuar nga aktet korruptive të bashkëpunëtorëve tuaj më të afërt, ju dëshmoni se korrupsioni i Sekretares suaj të Përgjithshme nuk është një rast i izoluar. Ju tregoni se jeni pjesë dhe i shërbeni një sistemi të kalbur nga korrupsioni. Do të ishte në nderin tuaj të jepnit dorëheqjen! Të tregonit me fakte se nuk jeni bërë pis. Të tregonit me vullnetin tuaj të lirë dhe jo me propagandë boshe se e mbështesni drejtësinë dhe i hapni rrugën drejtësisë për të hetuar deri në nivelet më të larta, deri tek ju! Por ju e humbet këtë shans! Nëse ju ngushëllon si fakt, nuk jeni e vetmja. Ju mësoni nga më profesionisti në punë korrupsioni. Nga kryetari juaj legjendar që u kap me presh në duar me McGonigalin dhe vazhdoi të sillej sikur s’kishte ndodhur asgjë”, tha Bardhi.
Në reagimin e saj, Ministrja Ogerta Manastirliu u shpreh se institucioni që ajo drejton distancohet plotësisht, ndërsa theksoi se përgjegjësia është individuale. Teksa e konsideroi arrestimin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë për korrupsion si një ngjarje të rëndë, Ministrja theksoi se të gjithë janë barabartë para ligjit dhe se çdokush duhet të përballet me pasojat.
“Si institucion distancohemi plotësisht. Është qëndrimi që kemi patur dhe do kemi gjithmonë për çdo rast të abuzimit të ligjit, abuzimit me detyrën apo shpërdorimit të saj. Cilido që shkel këto parime duhet të përballet me pasojat që parashikon ligji. Është një ngjarje e trishtë dhe e rëndë, rasti duhet të hetohet deri në fund dhe më pas del ashtu siç dyshimet janë, të përballet me pasojat e ligjit. Përgjegjësia është individuale dhe veprimet e askujt nuk mund të baltosin punën e një institucioni. Për këtë bëmë reformën në drejtësi. Të gjithë të barabartë përpara ligjit, ky është qëndrimi im”, deklaroi Ministrja.
/rtsh.al/