Shqipëria rikthen regjimin e vizave për shtetasit rusë, KE: Redukton hyrjet e parregullta në Evropë

Komisioni Evropian ka vlerësuar vendimin që ka marrë Shqipëria për të mos rinovuar përjashtimin sezonal që kishte bërë kundrejt shtetasve rusë. Në raportin e 30 majit, KE shkruan se vendimi i marrë nga qeveria shqiptare redukton lëvizjet e parregullta të personave të ndryshëm të cilët përdorin rrugët e Ballkanit Perëndimor për të kaluar më pas në vendet e Bashkimit Evropian.
Përveç ndalimit pa vizave të shtetasve rusë, qeveria nuk ka rinovuar as përjashtimin sezonal të qytetarëve nga India dhe Egjipti.
“Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë respektuar angazhimet mbi politikën e vizave. Komisioni mirëpret vendimin e Serbisë për të rivendosur kërkesat e vizave të lartpërmendura; dhe vendimin e Malit të Zi për të rivendosur regjimin e vizave me Kubën si dhe për të rifutur regjimin e vizave për shtetasit e vendeve të treta që banojnë ligjërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe (përkatësisht në janar dhe prill 2023).
Komisioni mirëpret gjithashtu vendimin e marrë nga Shqipëria për të mos rinovuar rregullin për përjashtimin sezonal të vizave për shtetasit e Egjiptit, Indisë dhe Rusisë, si dhe vendimin e Maqedonisë së Veriut për të rifutur kërkesën për regjimin e vizave për shtetasit e Botsvanës, Kubës dhe Azerbajxhanit”, shkruhet në raportin e Komisionit Evropian.
Në këtë mënyrë shtetasve rusë do të duhet të aplikojnë për vizë pranë ambasadës shqiptare në mënyrë që të udhëtojnë drejt vendit tonë.
Raporti i KE-së për Shqipërinë by Rtsh Faqe
Në majin e vitit të kaluar, qeveria shqiptare mori vendimin që shtetasit rusë mund të udhëtonin lirisht pa viza drejt vendit tonë për qëllime turistike edhe pse Rusia kishte nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe ishte vendosur nën sanksionet e Perëndimit, ku përshihej ndalimi i personave të caktuar, kryesisht oligarkë dhe aleatë të Putin.
Pas marrjes së vendimit, Edi Rama theksoi atëkohë se turistët rusë nuk duhet të kufizohen për të vizituar Shqipërinë pavarësisht nga ajo çfarë ndodh në Ukrainë. Por, tashmë qeveria shqiptare ka rikthyer sërish regjimin e vizave për shtetasit rusë.
/rtsh.al/