E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestimi i rusëve, Moska mohon akuzat për spiunazh

Lavrov: Mund ta kenë bërë forcat që nuk na duan

Dhjetë persona janë arrestuar dhe paditur me akuzën se kanë
spiunuar për qeverinë ruse në Shtetet e Bashkuara. FBI-ja thotë se të akuzuarit ishin agjentë sekretë të Rusisë që jetonin në SHBA që nga mesi i viteve ‘90, duke pretenduar se ishin qytetarë amerikanë. Bëhet fjalë për katër çifte që jetonin si burrë e grua, të identifikuar si komplotistë të Bostonit, Yonkers, Seattle e New Jersey, si dhe dy të tjerë me profile më të ulëta. Thuhet se qëllimi i tyre ishte të amerikanizoheshin në mënyrë që të rekrutonin njerëz, të cilët do të punonin për qeverinë apo do të infiltroheshin vetë. Aktakuza për ta jep shumë hollësi. Qeveria ruse me sa duket u kishte thënë atyre të mblidhnin informacione për qasjen e Presidentit Obama ndaj Rusisë, për politikën amerikane në Azinë Qendrore dhe në Iran. Nuk është e qartë nëse ata kishin arritur ndonjë sukses në këtë drejtim. Por e tërë kjo ka ndodhur në sytë e FBI-së që po i mbante ata nën vëzhgim për së paku dhjetë vjet. Burimet amerikane e kanë përshkruar këtë si "një ngjarje fatkeqe", por thonë se kjo nuk do të duhej të ndikonte në përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë. Ndërkaq, akuzat e FBI-së janë hedhur poshtë si të pabaza nga Ministria e Jashtme ruse. Të arrestuarit janë akuzuar për spiunazh dhe veprime që bien në kundërshti me ligjet amerikane, krime për të cilat ata mund të dënohen deri me 5 vjet burgim. Disa prej tyre janë akuzuar gjithashtu edhe për pastrim parash. Një i dyshuar i fundit është vënë dje në pranga në ishullin e Qipros. Sipas akuzave, rusët ishin pjesë e një operacioni më të gjerë, në të cilin agjentët e përfshirë shtireshin si qytetarë normalë, ndërkohë që kryenin veprimtari spiunazhi. Por për Ministrinë e Jashtme ruse, këto akuza janë të gjitha ta pabazuara dhe të dëmshme. Në të thuhet edhe se “në çdo rast është për të ardhur keq që e gjitha kjo po ndodh ndërsa po bëhen përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve, përpjekje që u nis nga ata vetë”. Më vonë ministria ka bërë të ditur se disa prej të arrestuarve janë qytetarë rusë, por ka vazhduar këmbënguljen se ata nuk kanë bërë asnjë lloj veprimi për të dëmtuar interesat amerikane. Në deklaratë thuhet se Moska dëshironte që SHBA-ja të tregonte mirëkuptim dhe marrje parasysh të marrëdhënieve pozitive mes të dyja vendeve në një rast të tillë. Sipas materialeve të gjykatës amerikane, pjesa më e madhe e të arrestuarve janë qytetarë amerikanë, ose kanadezë. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov, bëri të ditur se priste një shpjegim nga ana e autoriteteve amerikane në lidhje me arrestimet dhe akuzat e bëra. “Momenti i këtij arrestimi është zgjedhur me një finesë të veçantë”, ka deklaruar ai, ndërsa ka nënkuptuar me këtë koment se mendon që kjo është një tentativë e dikujt, apo e një grupi brenda strukturave të pushtetit amerikan që kërkon të minojë rivendosjen e marrëdhënieve të mira mes të dyja vendeve. Sipas disa komentatorëve rusë, një veprim i tillë ka për qëllim që të krijojë mosbesim tek Obama dhe politika e tij për miqësi me Rusinë. Javën e kaluar, Presidenti rus, Medvedev, ishte në Shtetet e Bashkuara dhe pati një takim shumë të suksesshëm me Obamën.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›