Krasniqi: Kufijtë e Kosovës janë më të vjetër se shtetësia e saj
Hapja e çështjes së ndryshimit të kufijve, nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, konsiderohet si një hapje e "Kutisë së Pandorës" dhe si çështje që do të dihej se ku nis, por jo edhe ku përfundon. Në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Krasniqi ka thënë se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës, i shprehur përmes institucioneve të saj dhe se aktualisht çështja e lëvizjes së kufirit nuk mund të jetë temë diskutimi, raporton “Rtv21”. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka theksuar se Kosova fillimisht duhet të vendosë marrëdhënie normale me Serbinë me këta kufij që ka. "Kosova i ka kufijtë e saj shtetërorë, ata kufij janë më të vjetër sesa është vetë Kosova shtet dhe kërkojmë që të respektohet vullneti i shprehur i institucioneve të Kosovës. Njohja ndërkombëtare është bërë mbi këta kufij dhe ndoshta në një të ardhme në një përmirësim të marrëdhënieve me Serbinë, mund të bisedohet për çështje të tilla, por konsiderojmë se në këtë kohë hapja e kufijve, ndryshimi i tyre, është një lloj hapje e ‘Kutisë së Pandorës’, e cila mund të dihet ku fillon, por nuk dihet ku përfundon, meqenëse nuk është interesi as i rajonit, as i Kosovës, as i përpjekjeve të vendeve dhe popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian, për të hapur çështje të kufijve", ka thënë Krasniqi. Deklarata e Krasniqit ka ardhur pas paralajmërimeve të Grupit Ndërkombëtar të Krizave se kanë filluar të qarkullojnë idetë për shkëmbim territoresh, të cilat sipas drejtorit të GNK-së, Marko Prelec, kanë pak gjasa që të realizohen. Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur po ashtu bindjen se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk do të dalë kundër vullnetit të qytetarëve për Kosovën shtet të pavarur. "Ne presim opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës dhe ne kemi bindjen që as GJND dhe as ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar nuk do të dalë kundër vullnetit të shprehur të qytetarëve të Kosovës, përmes përfaqësuesve të saj", ka thënë Krasniqi. Më 22 korrik, Kuvendi i Kosovës mund të ketë seancën e fundit për këtë sezon veror. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi bëri të ditur se Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e sotme, ka caktuar rendin e ditës për seancat plenare që do të mbahen më 1 dhe 8 korrik, ndërkaq seanca e fundit mund të jetë më 15 ose më 24 korrik, ku do të shqyrtohen disa projektligje dhe disa raporte të agjencive të pavarura.
#