E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestimi i shefit të krimeve, ja përgjimet që e prangosën

TIRANE-Zbardhen përgjimet që çuan në arrestimin e ish-Shefit të Krimeve të Komisariatit Nr.1 Fatos Goxhaj, i cili u vu në pranga gjatë ditës së djeshme nga kolegët e tij me akuzën e korrupsionit. Goxhaj, vetëm pak ditë më parë kishte lënë detyrën e Shefit të Krimeve të këtij Komisariati, për t’u transferuar në Përmet, por duket se kjo lëvizje u ka shërbyer kolegëve të tij për të kryer arrestimin e këtij të fundit, pa u dekonspiruar. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria, Policia e Tiranës dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm është arritur të provohet se Fatos Goxhaj, në cilësinë e Shefit të Krimeve të Komisariatit Nr.1 ka marrë një ryshfet prej 3500 eurosh nga djali i një të ndaluri, me qëllim që ta linte të lirë babain e tij. Gjithçka duket se ka shkuar sipas planit të Goxhajt, deri në momentin kur Prokuroria e Tiranës vendosi të thërriste si të pandehur personin që kishte liruar Shefi i Krimeve. Në këto çaste, djali i të ndaluarit vendosi të denoncojë efektivin e policisë dhe pranoi që të kryente një përgjim për të provuar implikimin e tij.
DOSJA E PLOTE
Më datë 22.11.2011 shtetasi R.A., banori lagjes Selitë Tiranë, në mbrëmje ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në banesën e tij së bashku me persona të tjerë. Nën efektin e pijes alkoolike, R.A. ka qëlluar brenda shtëpisë së tij me një armë tip pistoletë, që e mbante pa leje. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjës të policisë së Komisariatit Nr.1, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore, duke bërë dhe shoqërimin për në ambientet e këtij Komisariati të shtetasit R.A.. Në vendin e ngjarjes ka shkuar dhe i dyshuari Fatos Goxhaj, me detyrë Shef i Krimeve në Komisariatin Nr.1 Tiranë. Kallëzuesi E.A., djali i R.A., ka takuar personin e dyshuar dhe i ka kërkuar këtij të fundit ta ndihmonte për të nxjerrë nga ambientet e Komisariatit babain e tij pasi ishte i vjetër në moshë dhe i sëmurë. Personi i dyshuar ka marrë përsipër të kryente veprimin sipas kërkesës së kallëzuesit në këmbim të shumës prej 3000 euro. Personi i dyshuar ka shkuar në ambientet e Komisariatit Nr.1 së bashku me E.A. dhe i ka kërkuar këtij të fundit që t’i thoshte babait të tij që të shtiret si i sëmurë. Pas kësaj një makinë policie ka bërë shoqërimin e R.A. për në Spitalin Ushtarak dhe pas qëndrimit për një kohë të shkurtër aty, R.A. së bashku me të birin kanë shkuar në shtëpi.
Kallëzuesi pas disa ditësh ka takuar personin e dyshuar dhe i ka ofruar dhe shumën prej 300 euro, por ky i fundit i ka kërkuar dhe 200 të tjera dhe në përfundim i ka dhënë personit të dyshuar dhe 500 euro të tjera.
Personi i dyshuar ka premtuar se nuk do të kishte asnjë problem për babain e tij dhe se çështja ishte e mbyllur. Por, pas disa muajsh, R.A. është thirrur në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për kryerjen e veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 22.11.2001.
Përgjimet
Pas shprehjes së vullnetit të kallëzuesit për të përgjuar komunikimet e tij me personin e dyshuar, organi procedues ka vendosur me datë 12.04.2012 përgjimin e komunikimeve mes personit të autorizuar dhe personit të dyshuar.
Më datë 12.04.2012 është zhvilluar një takim mes personit të autorizuar dhe personit të dyshuar për kryerjen e veprës penale dhe nga procesverbali i transkriptit të bisedës rezulton se, midis të tjerave personi i dyshuar i drejtohet personit të autorizuar:
FATOS GOXHAJ: Ta shpjegova edhe herën tjetër, kur të tash në fillim të thash ta mbyllim muhabetin që të mos ta arrestojmë... si ça të ndihmova që s’u arrestu atë ditë.
E.A.: Ç’a është gjoba, ç’a gjobe, këtë gjobën, këtë gjobë që do ta jepsha unë tu do ta kisha mbajt unë dhe jepsha unë sot gjobën atij.
FATOS GOXHAJ: Nuk mi ke dhënë mua
E.A.: Po kujt mor vëlla ja kam dhënë unë?
FATOS GOXHAJ: Iksit, kanë shku gjetkë mor vëlla, tjetër vend, s’di çfarë të them
E.A.: Po unë t;i kam dhënë ty mor vëlla, çfarë tjetër vendi. Dëgjo, dëgjo këtu, gjyqi vazhdon, vazhdon i lirë, i bi me pagu lekë.
FATOS GOXHAJ: Do vinte në gjendje arresti, në gjendje burgu
E.A.: Kush do të vinte, plaku im?
FATOS GOXHAJ: Po, do të paguaje dyfishin
E.A.: Po mirë dyfishin, e kishim mbyll tani, ore lekët pse mi more, veç mos me e arrestu?
FATOS GOXHAJ: Po. Do të kishe paguar dyfishin dhe nuk do ta kishe mbyllur.
E.A.: Ore lekët përse t’i kam dhënë, vetëm për mos me ma arrestu?
FATOS GOXHAJ: Po. Do ta paguaje dyfishin dhe nuk do e mbyllje.
E.A.: O Toso, kam hudh 3500 euro ja q... motrën, për mos me e arrestu, me vra ropt nuk kisha pagu, me plagos, mor burrë.
FATOS GOXHAJ: S’është faji jot, është faji im. E., po e marrim siç thua ti. Ndodhi ngjarja, babai yt u arrestua, do të shkonte ditën e tretë në gjyq, kur vete në gjyq, me ato prova që ka ai ti do të jepje dyfishin dhe do e nxirrje, do të vazhdonte hetimi, por në rastin konkret hetimit ndaj tij do të vazhdonte në gjendje të lirë, atëherë do të vazhdonte në gjendje arresti, por hetimi vazhdon se me çmende mor burr. Ore a ke pyetur ndonjë avokat që merr vesh nga ligji?
E.A.: Çar thua mor vëlla, si nuk shkojshin, e ke gabim mor burr
FATOS GOXHAJ: Ça thua 3500 euro, i q... motrën mor vëlla
E.A.: Ça thua mor vëlla
FATOS GOXHAJ: Nuk i kam marrë unë 3500 euro
E.A.: Po kush i ka marrë?
FATOS GOXHAJ: Shpërndahen mor vëlla
E.A.: Ça shpërndahen?
FATOS GOXHAJ: Ç’më gjeti mua, faji im është dhe s’dua dhe s;doja t’i merrja ato lekë, të bëhesha viktima e të tjerëve, vari k...
E.A.: S’është punë për viktim or vëlla...
Përfundimi
Nga sa më sipër rezulton e provuar se personi i dyshuar Fatos Goxhaj ka përfituar në mënyrë të padrejtë shumën prej 3500 euro për të mos arrestuar R.A.. Personi i dyshuar është punonjës policie dhe me veprimet e tij në kundërshtim me ligjin ka cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura për funksionin normal të organeve të drejtësisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›