Arrestimi i truprojave të Vulinit, suspendohen dy policë

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar nga detyra deri në përfundim të hetimeve që po zhvillohen në lidhje me rastin e arrestimit të nëntë truprojave të shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksander Vulin.
Policët dyshohen se kanë përdorur forcë fizike, derisa serbët e arrestuar po mbaheshin në qendrën e ndalimit.
“Si rezultat i hetimeve të përbashkëta të kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe EULEX–it, lidhur me ngjarjen e ndodhur me 7 janar 2013, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar në pritje deri në përfundim të hetimeve”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Policia do të vazhdojë të bashkëpunojë me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe EULEX-in gjatë zhvillimit të hetimeve. Me daljen e fakteve të reja lidhur me rastin Policia e Kosovës do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe të duhura.
Personat e dyshuar ishin ndaluar bazuar në autorizimin e prokurorit nga Policia pasi qe gjatë përcjelljes së eskortës se Vulin e cila ishte përgjegjësi e Policisë së Kosovës kishin sjellje dhe veprime të dyshimta dhe veshjes se njëjtë të të gjithë personave prandaj për shkak të sigurisë së personalitetit policia i ka ndaluar dhe shoqëruar në stacion Policor .
Personat e ndaluar gjatë gjithë kohës me dy vetura private kanë përcjellë kolonën e eskortës se Vulin dhe kanë kryer veprime të dyshimta për policinë e Kosovës./Indeksonline/