Arrestohen 12 persona për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit

TIRANË,10 korrik/ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar 12 persona, ndërsa ka proceduar 2 të tjerë dhe shpall në kërkim një, pasi akuzohen se kryenin aktivitetin e organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.
Policia e Tiranës njofton se hetimi është kryer nga sektori i krimeve kibernetike, në bazë të një procedimi penal të nisur gjatë këtij viti. Sipas Policisë së Tiranës, hetimi është kryer me metoda speciale të hetimit. Në fund të hetimit, Forcat Operacionale Speciale dhe të Kërkimit, dhe Sektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin policor të koduar “Big Match”.
“Në kuadër të këtij operacioni, janë identifikuar subjekte dhe shtetas të dyshuar, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambienteve për lotari sportive. Gjatë kontrolleve në këto subjekte janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit: A. M., 49 vjeç, A. S., 50 vjeç, D. S., 48 vjeç, F. K., 22 vjeç, H. M., 28 vjeç, I. S., 46 vjeç, K. L., 25 vjeç, Sh. B., 60 vjeç, K. B., 31 vjeç, R. Xh., 36 vjeç, dhe M. D., 21 vjeç. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit F. S., 23 vjeç, dhe L. K., 28 vjeç. Po në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi I. R., 40 vjeç”, njofton Policia e Tiranës. “Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokale të ndryshme në Tiranë, të cilat ishin përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke ushtruar veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë operacionit janë sekuestruar 13 celularë që shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit, 224 000 lekë të rinj dhe 2720 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Tiranës. 1 nga 2