Arrestohen 5 banorë lokal dhe mbi 30 emigrantë të huaj në Llojan

Njësitet speciale policore të Maqedonisë arrestuan sot në mëngjes pesë banorë të fshatit Llojan të Kumanovës si dhe rreth 30 emigrantë të huaj.
Arrestimi u bë sot në një operacion të njësiteve speciale policore që nisi rreth orës 08.30 në këtë fshat që gjendet në veri të kufirit me Serbinë, transmeton INA.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) theksoi se akoma po vazhdon operacioni në fshat ku janë kontrolluar mbi 10 objekte dhe shtëpi në të cilat janë gjetur emigrantët e huaj.
Sipas njoftimit policor, theksohet se operacioni u ndërmorr për të parandaluar grupet e organizuara të trafikimit dhe strehimit të emigrantëve afrikano – aziatik.
Nga 30 emigrantët e ndaluar, shumica e tyre janë afgan dhe pakistanez, por edhe nga vendet e tjera. Ndërsa, pesë fshatarët e ndaluar dyshohet për strehim të emigrantëve.
Banorët janë shprehur të revoltuar për këto aksione policore, duke theksuar se MPB duhet të parandalojë fluksin e madh të emigrantëve që kanë vërshuar fshatin e tyre dhe që po detyrohen që ti vijnë në ndihmë këtyre njerëzve për shkaqe humanitare dhe solidariteti. /Indeksonline/