E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 5 persona, dyshohet se mbajtën të mbyllur punonjësit e task-forcës së Tatimeve në Golem

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kavajës pasi dyshohet se kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur për një kohë të konsiderueshme brenda ambienteve të një resorti në Golem punonjës të task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.

Sipas Policisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e task-forcës, kanë arrestuar në flagrancë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” shtetasit S. N., 34 vjeç, administrator i resortit; Z. J., 56 vjeç, shef finance; A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë; si dhe dy punonjësit e sigurisë H. S., 64 vjeç dhe B. A., 57 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur dje, kur të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë penguar punonjësit e task-forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe i kanë mbajtur ata brenda ambienteve të resortit në Golem.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›