E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Agroturizmi “N’Kanu” në Mirditë, shembull i investimit në vendlindje

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Agroturizmet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në qendra të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe social në rajone të ndryshme të vendit, duke kontribuar në rritjen e punësimit dhe forcimin e ekonomisë rurale.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale, pamje nga agroturizmi “N’Kanu” në fshatin Perlat të Mirditës, duke e cilësuar si një shembull të kthimit të emigrantëve për të investuar në vendlindje dhe për të zhvilluar turizmin rural.

“Pas viteve të emigrimit, Ermal Dukaj vendosi të kthehej në vendlindje për të investuar në tokën dhe trashëgiminë familjare, duke i dhënë një dimension të ri një bujtine e cila i ka fillesat që në vitin 1997”, shkruan Rama.

Sipas tij, bujtina “N’Kanu”, është zgjeruar falë mbështetjes së programit IPARD II.

“Me mbështetjen e programit IPARD II, ai zgjeroi kapacitetet akomoduese dhe e shndërroi “N’Kanu” në një destinacion mikpritës për vizitorët vendas dhe të huaj”, thekson Rama.

Rama veçon gjithashtu faktin se rreth 80% e prodhimit dhe furnizimit me ushqime sigurohet nga vetë ferma, duke garantuar sipas tij, produkte të freskëta, autentike dhe një lidhje të drejtpërdrejtë mes prodhimit vendas dhe tryezës.

/m.q/j.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›