Homazhe për gazetarin Enrik Mehmeti, familjarë dhe kolegë i dhanë lamtumirën e fundit në Vlorë

TIRANË, 19 korrik /ATSH/ Në teatrin “Petro Marko” në Vlorë u mbajtën sot homazhet në nderim të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili u nda tragjikisht nga jeta në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto-Novës, në Zvërnec.
Familjarë, miq, kolegë dhe përfaqësues të komunitetit u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit gazetarit, i cili për më shumë se 20 vite raportoi ngjarjet më të rëndësishme nga qarku i Vlorës.
Enrik Mehmeti iu bashkua News24 që në ditët e para të themelimit të televizionit dhe u bë një prej zërave më të njohur të raportimit në jug të vendit, duke pasqyruar kronikën e zezë, operacionet policore, problematikat sociale, zhvillimet politike dhe turistike.
Kolegët e kujtuan si një profesionist të përkushtuar, të guximshëm dhe të palodhur në terren, i cili e shihte gazetarinë si një mision për të informuar publikun dhe për të qenë pranë qytetarëve.
Gjatë karrierës së tij, Mehmeti bashkëpunoi edhe me televizionin italian “Rai”, duke raportuar drejtpërdrejt ngjarje nga Shqipëria.
Ndarja e tij nga jeta shkaktoi dhimbje të madhe në komunitetin mediatik, në Vlorë dhe më gjerë.
Mesazhe ngushëllimi kanë përcjellë familjes edhe përfaqësues të politikës dhe institucioneve.
/gj.m/j.p/