Arrestohen agjentët e Serbisë
Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë agjentë të MUP-it të Serbisë, që kanë vepruar në rajonin e Gjilanit. Ata janë shtetas të Kosovës, të nacionalitetit serb. Provat materiale të gjetura pas bastisjeve të kryera në disa fshatra, bëjnë që rasti ti kalojë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ndër të tjera, ata disa herë kishin kërcënuar kryetarin e Pasjanit.
Gjashtë pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë janë arrestuar të shtunën në Gjilan.
Arrestimin e tyre e ka bërë Njësia Speciale e Policisë së Kosovës (ROSU), e mbështetur edhe nga njësi të tjera.
Policia ka njoftuar se të gjashtë personat janë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit, në disa lokacione dhe se ata dyshohet se akuzohen për veprën penale sulm ndaj rendit juridik në Kosovë.
Burime të Expressit, të afërta me hetimet që janë bërë, e që kanë rezultuar me arrestimin e gjashtë agjentëve serbë në rajonin e Gjilanit, kanë dhënë detaje shtesë në lidhje me këtë rast.
Sipas këtij burimi, Policia e Kosovës ka kohë që i ka hetuar këta pjesëtarë se janë duke operuar në territorin e shtetit të Kosovës.
Ata të gjithë janë banorë serbë, shtetas të Kosovës, dhe asnjëri nga ta nuk është nga Serbia.
Të njëjtit dyshohet se krahas organeve legjitime të Kosovës, kanë vepruar duke shantazhuar, kërcënuar e përdorur forma të tjera, personalitete me rëndësi në rajonin e Anamoravës, shpjegon burimi i gazetës.
Sipas tij, ata disa herë kishin kërcënuar kryetarin e Pasjanit që është nga komuniteti serb.
Këta pjesëtarë të MUP-it serb kanë kërcënuar e shantazhuar disa herë kryetarin e Pasjanit, që është nga komuniteti serb. Atij disa herë edhe i kanë dërguar shkresa të ndryshme, rrëfen ky burim.
Ai ka sqaruar më tej se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Qarkut në Gjilan, ka bastisur edhe disa lokacione në disa fshatra të kësaj komune.
Pas arrestimit të tyre, janë bastisur edhe vende ku dyshohet se jetojnë të arrestuarit në fshatrat Pasjan, Kuvcë, Sillovë, Budrikë, Koretiksh. Në këto lokacione janë gjetur prova të mjaftueshme materiale që i ngarkon të akuzuarit për veprat penale, tregon ky burim për Express.
Sipas tij, nga hetuesit, ata janë marrë në pyetje gjatë orëve të mbrëmjes të së shtunës, në mënyrë që më pas të vendoset se çfarë mase do tu shqiptohet.
Sipas të gjitha gjasave, rasti do të kalojë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për shkak të peshës së veprës, thotë ky burim, i afërt me rastin, sipas të cilit, ka shumë mundësi që të ketë edhe arrestime të tjera të agjentëve serbë që operojnë në këtë rajon.
Gjithçka është në fazën fillestare të marrjes në pyetje të të arrestuarve, por me gjasë do të ketë edhe arrestime të tjera të agjentëve serbë të MUP-it që veprojnë në Kosovë, thotë ky burim.
Ndërkohë, në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës thuhet se këta pjesëtarë të MUP-it serb janë arrestuar pasi që Policia për Krime të Rënda e Kosovës, kishte informacione se strukturat e organizuara ilegale të Ministrisë se Punëve të Brendshme të Serbisë janë duke kryer veprimtari kriminale në Kosovë.
Bazuar në këto informacione, Policia e Kosovës nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan ka zhvilluar hetimet preliminare, hetime të cilat kanë rezultuar me dyshimin e bazuar se ky grup personash kanë kryer veprat penale Sulm kundër rendit juridik të Kosovës dhe Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, thuhet në komunikatë e Policisë së Kosovës.
Të shtunën, në orët e hershme të mëngjesit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, e asistuar nga njësitet speciale të PK-së, kanë zbatuar urdhëresën e Gjykatës së Qarkut të Gjilanit për bastisje në shtatë lokacione, me qellim të sigurimit të provave materiale, me çrast janë ndaluar gjashtë persona të dyshuar, sqaron policia
Gjithashtu gjatë këtij operacioni policor, janë konfiskuar në cilësi të provave materiale armë dhe gjësendet të tjera, si një pushkë e llojit M48, pushkë gjuetie, pushkë ajrore, arme revole TT 762 m, 473 fishekë 7.62 m, uniformë e policisë serbe komplete, katër lap topë, dy shtëpiza kompjuterësh, pesë kartela identifikuese të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë si dhe disa dokumente të tjera relevante me keto raste.
Ky operacion policor është realizuar nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Qarkut në Gjilan dhe me autorizim të prokurorit të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit policor. /Express/