Kosovë, mbi 7 mijë e 500 qytetarë firmosin për mbrojtjen e Republikës

Peticioni i Vetëvendosjes
Peticionin e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje kundër marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë e kanë firmosur më shumë se 7 500 qytetarë në pak orë.
VV, nis dje peticionin, ku kërkohet mbajtja e debatit parlamentar për trajtimin e kërkesës: “Të mos pranohet marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës pa termin Republikë dhe me Rezolutën 1244 në fusnotë”.
Qytetarët me rastin e dhënies së nënshkrimit shprehen të indinjuar dhe shfaqin papranueshmërinë e tyre për kompromiset e qeverisë në dëm të interesit të përgjithshëm.
Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe sot dhe krahas mbledhjes së nënshkrimeve VV do të organizojë demonstratë në mbrojtje të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet nesër, para godinës së Qeverisë në Prishtinë. /F.Stafa/